Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka dorëzuar padi ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke e akuzuar këtë të fundit për shpifje dhe fyerje.
Prebreza ka reaguar edhe përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se më 12 tetor pritet një “ndryshim historik” në Fushë Kosovë, ndërsa ka akuzuar se kundërshtarët politikë po përpiqen ta dëmtojnë imazhin e tij dhe të subjektit që përfaqëson përmes dezinformatave.
Sipas Prebrezës, këto sulme kanë për qëllim dëmtimin e Lëvizjes Vetëvendosje edhe përtej kufijve të Fushë Kosovës.
“Diçka e madhe do të ndodhë në Fushë Kosovë më 12 tetor të këtij viti. Ndryshim historik. Andaj edhe zhurma që po bëhet sa vazhdon e rritet, por volumi i zhurmës asnjëherë nuk e determinon të vërtetën. E vërteta po shtrembërohet çdo ditë, xhepat e dikujt mbase po mbushen, por ne nuk do të lejojmë manipulimin e qytetarëve dhe opinionit publik. Prandaj kam dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje ndaj personit të cituar në foton e mëposhtme. Qytetarët e Fushë Kosovës e dinë çka ka ndodhë deri tash, e kanë përjetuar diskriminimin për gati 20 vjet. Mirëpo, këto zhurma dezinformimi kanë për qëllim dëmtimin e LVV përtej Fushë Kosovës. Prandaj, ne nuk do të lejojmë që njerëzit jashtë qytetit tonë, që nuk kanë jetuar as edhe një ditë këtu, t'u tregojnë qytetarëve tanë se çka është mirë për ta, e çka duhet të bëjnë me 12 tetor”, ka thënë Prebeza në profilin e tij.
Mehmetaj në një emision në RTV Dukagjini ka thënë se “LDK ka obligim me fitua Fushë Kosovën, se nëse e merr VV-ja me qatë mega hajnin, ultra hajnin Prebreza, i cili prej rrogës 200 euro kish pas kalu në rrogë 1,800 euro”.
Padia ndaj Mehmetajt tashmë është dorëzuar në institucionet përkatëse.