Endrit Hasani, mërgimtar nga Zvicra ishte i pari qytetar që votoi në Podujevë në qendrën e votimin në shkollën “Ibrahim Rugova”. Ai tha se në Kosovë, fizikisht, votoi për herë të parë.
Hasani: Votova për herë të parë në Kosovë
“Mirëmëngjesi nga Podujeva, sot ishte vota ime që kam ardhur nga Zvicra, për herë të parë votova në Kosovë dhe gjithçka shkoi në rregull, shumë organizimi i mirë. Shpresoj të ketë sukses dhe të fitoj më i miri. Për sot isha votuesi i parë i klasës 04 nga shkolla ‘Ibrahim Rugova’. Kam ardhur vetëm për të votuar dhe në 12 të natës kthehem në Zvicër”, tha ai.
Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Vendvotimet do të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.