I lindur dhe i rritur në Kosovë, Arbër Shehu është sot drejtor mjekësor në kompaninë ndërkombëtare AstraZeneca, një rrugëtim që nisi mes sfidave të luftës dhe u ndërtua përmes përkushtimit ndaj dijes dhe inovacionit.
Shehu, i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në një intervistë për Medical Marketing and Media kujton se pas luftës kishte vendosur të qëndronte në Kosovë për të ndihmuar komunitetin në zonat e pashërbyera.
“Isha i lumtur dhe i bekuar që njihesha me disa miq amerikanë që më prezantuan me sistemin amerikan. Pas studimeve mjekësore, fillova të punoja menjëherë si mjek në terren, por kisha idenë të bëja diçka më të madhe. Mund të kem më shumë ndikim,” tha ai.
Pas disa përpjekjeve për të ardhur në Shtetet e Bashkuara, Shehu siguroi një vend për stazh në Spitalin Memorial Midland të Universitetit Teknik të Teksasit, përpara se të vazhdonte studimet për Master në Shkencat Shëndetësore në Universitetin James Madison në Virxhinia.
Më pas, ai u pranua për doktoraturë në Universitetin Rutgers, por pandemia e COVID-19 ndërpreu planet e tij.
Megjithatë, fati i solli një mundësi të re – një pozitë postdoktorature në Universitetin Johns Hopkins, ku punoi në një projekt kërkimor për efektivitetin e vaksinës kundër COVID-19.
“Pata fatin të ndihmoja në menaxhimin e provave klinike si bashkë-hetues. Publikuam deri në 20 punime në pothuajse dy vjet, të cilat u bënë shtylla kurrizore e CDC-së,” tregon Shehu, duke shtuar se kjo periudhë ishte “moment kulmor” i karrierës së tij profesionale.
Gjatë punës në Johns Hopkins, ai mbeti i lidhur me rajonin, duke ndarë përditësime me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë për ecurinë e kërkimeve dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik.
Këshillat e mentorit të tij, Dr. David Hager, e shtynë të zgjerojë horizontet edhe më tej. “Ai më inkurajoi të vazhdoja arsimimin tim në Shkollën e Biznesit Johns Hopkins Carey për të përfunduar diplomën e MBA-së.
Tani po specializohem në shëndetësi, inovacion dhe lidership,” thotë Shehu.
Pas publikimit të disa prezantimeve shkencore për COVID-19 në LinkedIn, AstraZeneca e kontaktoi për bashkëpunim – një hap që e çoi drejt rolit të tij aktual si drejtor mjekësor.
Në planet e së ardhmes, Shehu dëshiron të ndihmojë në integrimin e inteligjencës artificiale në kujdesin shëndetësor, përmes bashkëpunimeve mes industrisë, akademisë dhe sektorit publik.
Ndërsa për këshillën që e ka ndihmuar më shumë, ai citon një mësim që i ka mbetur thellë në mendje.
"Duhet të kesh guxim dhe etje për dije. Por çelësi është bashkëpunimi – nuk mund t’i zgjidhësh gjërat vetë", u shpreh Shehu.