​Pallati në terr, ndërpritet seanca për rastin e 400 kilogramëve kokainë

Aktuale

​Pallati në terr, ndërpritet seanca për rastin e 400 kilogramëve kokainë

Më: 23 tetor 2025 Në ora: 13:59
Foto ilustrim

Seanca e sotme gjyqësore lidhur me rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, ku të akuzuar janë pesë persona, është ndërprerë disa herë për disa minuta për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Ndonëse, seanca filloi po për shkak të ndërprerjes së rrymës, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni u detyrua ta ndërpresë seancën në sesionin e paradites për të vazhduar seancë në ora 13:15.

Në seancës e sotme po vazhdon dhënien e mbrojtjes së tij i akuzuari, Izet Shaqiri, i cili është pronar i kompanisë “MC Food”. E po në këtë rast janë të akuzuar edhe katër persona të tjerë Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton KosovaPress.

Arrni: Seanca vazhdon në 13:15, ndërpritet seanca për shkak të energjisë elektrike

“Sipas informatave është duke u punuar në çështje e energjisë elektrike dhe sipas informatave shumë shpejt energjia elektrike do të vjen kështu në këtë kontekst ne vazhdojmë në ora 13:15”, tha ai.

E për aq minuta sa vazhdoi seanca në sesionin e paradites pyetje karshi të akuzuarit, Shaqiri parashtroi avokati i tij, Florent Latifaj.

Në këtë pjesë u prezantuan edhe disa video-incizime të datës 16 dhe 17 majit të vitit 2021, kur edhe u gjet sasia e narkotikut në kamionin e kompanisë “MC Food”.

Duke u pyetur rreth një video ku shihen në oborrin e kompanisë “MC FOOD” dy persona, avokati Latifaj e pyeti klientin e tij të akuzuarin, Izet Shaqiri se kush ishin ata dy persona dhe se me çka merreshin tjetër ata përveç pozitave zyrtare.

I akuzuari tha se njëri nga personat që shihet në video-incizim është shefi i veterinarisë për licencim të frigoriferëve, Flamur Kadriu dhe tjetri është menaxheri i KFC-së.

Latifaj-Shaqirit: Kush janë personat..Shaqiri: Shefi i veterinarisë dhe menaxheri i KFC-së

“Latifaj: A i njeh personat se kush janë këta….Shaqiri: Ky është Flamur Kadriu shef i veterinës për licencim të frigoriferëve, ky tjetri është menaxher i KFC-së, Arben nga Rahoveci...Latifaj: Sipas Prokurorisë ti në këtë datë je takuar me persona të dyshimtë, tash po na thua që këta dy persona njëri është drejtor në AVUK tjetri menaxher KFC sipas njohurive tua përpos pozitave zyrtare që i kanë a merren edhe me diçka tjetër....Shaqiri: Jo”, tha ai.

Duke kaluar në një video-incizim të datës 17 maj 2021 kur edhe u gjet sasia e drogës në maunën e kompanisë “MC FOOD”, avokati, Florent Latifaj pyeti se malli kur vjen ku lihet ai, Shaqiri tha se fillimisht numërohet se a është sasia dhe pastaj futet në kompani.

Latifaj-Shaqiri: Ku palohet malli, Shaqiri: Fillimisht numërohet sasia në paletë

“Latifaj ku palohet malli për herë të parë kur zbret a e leni aty?....Shaqiri: Malli që vjen së pari lihet në këtë pozitë numërohet paleta prej Kadrisë dhe nënshkruhet nga shoferi nëse janë të saktë sasitë dhe pastaj futet brenda. Përballë shkarkimit është dera e frigoriferit që duhet me hy malli brenda”, deklaroi ai.

Seanca e sotme në këtë shqyrtim gjyqësor ishte paraparë të nis në ora 09:30, por mungesa e energjisë elektrike dhe vonesa për të sjell njërin nga të akuzuarit në Pallatin e Drejtësisë bëri që kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni mori vendim për shtyrje të seancës për në ora 10:25.

Arrni: Për shkak të energjisë kthehemi në seancë në 10:25

“Jemi me 30 minuta vonesë, për shkak të sjelljes së të pandehurit nga stacion policor jugu. Vonesw që është jashta objektivave tona. Ndërsa, tash po e shihni se kemi probleme me energjinë elektrike, megjithatë jemi në pritje të informacione nga institucionet përkatëse, po e bëjmë një pauzë rreth 20 minuta, 10:25 kthehemi, dhe varësisht nga mundësitë objektive që kemi vazhdojmë”, tha ai.

Ndryshe, ndërprerja e energjisë elektrike sot ndërpreu edhe seanca të tjera që ishin planifikuar të zhvilloheshin në Pallatin e Drejtësisë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importimin e produkteve të pulës së ngrirë dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021, në sasi prej 400 kilogramësh.

Kujtojmë që për këtë rast ishte i akuzuar edhe Hysni Sheqiri i cili pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Ndërsa, i akuzuari tjetër ishte edhe Naim Morina i cili pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësisë është dënuar me 6 muaj burgim efektive për pengim të procedurës penale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat