Memli Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas seancës se sot është vërtetuar që “Abin Kurti po e mban vendin peng”.
“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”.
Ai ka thënë se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.
Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Hykmete Bajrami: Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas seancës së Kuvendit, duke thënë se zhvillimet e sotme tregojnë qartë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Për shkak të paaftësisë së partisë së parë që ka dalë në zgjedhje për t% bërë koalicione, ne po shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo shtoi se kjo situatë është pasojë e mungesës së kapaciteteve politike për të ndërtuar shumicën qeverisëse, ndërsa theksoi se tashmë fjalën e fundit do ta kenë qytetarët.
“Partia fituese po e kthen besimin te qytetarët”, tha Bajrami.
Sipas saj, zgjedhjet e reja janë tashmë të pashmangshme dhe përbëjnë rrugën e vetme për të dalë nga bllokada politike në të cilën ndodhet vendi.
Limaj: Hap i pamjaftueshëm, Basha s’duhet të ketë asnjë post publik
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se propozimi i mandatarit Albin Kurti nuk mori përkrahjen e tre deputetëve të partisë së tij për shkak të Dimal Bashës.
Basha, që aktualisht ka postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, u propozua për postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, duke lënë kështu të hapur postin e kryetarit të Kuvendit që në fillim e kishte synuar Limaj.
“Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm.
Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, tha Limaj, pas seancës.
S’ka vota për “Kurti 3”
Propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjecar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës.
Kështu, me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon sërish te presidentja Vjosa Osmani dhe mbylli punimet e seancës së sotshme.
Krasniqi-Kurtit: Hidhe në votim sa më parë Qeverinë e propozuar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë ftesë mandatarit Albin Kurtit, që të formojë qeverinë e re.
Sipas Krasniqit, ishte Kurti ai që thoshte se formimi i Kuvendit ka qenë përgjegjësi e ish-opozitës, derisa tani ai thotë se është radha që këtë përgjegjësi ta mbajë Kurti.
“Sot në këtë seancë që do të duhej të ishte për një qeveri të re, dëgjuam ekspoze për këtë që do duhej kinse të vinte. Lexuam dhe dëgjuam një rekujim të qeverisë së kaluar, një panaxherik imagjinar për kinse të bëmat e saj”, u shpreh Krasniqi.
“Kanë kaluar mbi tetë muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrare të partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve, dhe kemi qenë dëshmitarë të një fjalamanie që kemi apo s’kemi vota, andaj sa na përket neve, si PDK, koha e fjalëve ka marrë fund, koha është që ta verifikoni atë që e keni thënë, nëse keni arritur shumicën e re parlamentare”, tha tutje ai.
Abdixhiku: S’duam debat, mateni veten me vota
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në debat për formimin e Qeverisë së re, në mënyrë që të lihet menjëherë hapësirë për votim.
“LDK-ja nuk sheh arsye për debat, nuk do të dëgjojë fare asnjë debat.
Na keni thënë ‘numrat i kemi’, urdhëroni mateni veten me numra”, tha Abdixhiku.
Ai e quajti “mungesë të dinjitetit” sjelljen e mandatarit Albin Kurti, të cilin e kritikoi për prezantimin e tij, dhe tha se kjo mungesë e dinjitetit e ka bllokuar Kosovës tash e tetë muaj duke e lënë me qeveri në detyrë.
Kurti: Do të investojmë 1 milard euro në mbrojtje
Gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, mandatari Albin Kurti tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm.
Kjo pasi që, sipas tij “bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i luftës së dytë botërore”.
Ai shtoi se investimet në mbrojtje do të bëhen përkrah angazhimit në aleancat me SHBA-në, BE-në e NATO-n.
Ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm, “do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, do të shtojmë numrin e ushtarëve e oficerëve” si dhe do të bëhet fabrika e municioneve dhe dronëve në Kosovë.
Pesë vendimet e para të “Qeverisë Kurti 3”, sipas mandatarit
Mandatari Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re, tregoi pesë vendimet që do t’i marr nëse merrë për të tretën herë besimin e deputetëve.
Ai thotë se këto pesë vendime do të merren që në javën e parë të Qeverisë së re, nëse zgjidhet ajo.
“Me të marrë besimin tuaj të nderuar deputetë, pesë vendimet e para që do t’i marrim si qeveri, që në javën e parë, do të jenë:
Miratimi i Projektligjit të Buxhetit për vitin 2026.
Vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro, që prek rreth 200 mijë pensionistë.
Vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë për 50% për nivelin aktual që prek rreth 400 mijë fëmijë.
Vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro, që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.
Dhe miratimi i ndryshimit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së”, u shpreh ai.
Kurti, thirrje deputetëve: Votojeni Qeverinë “Kurti 3” për vazhdim të qeverisjes së mirë
Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.
Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.
“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.
“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.
Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kaluar.
Kurti e konfirmon: S'kemi koalicion për qeverinë
Mandatari për formimin e qeverisë, Albin Kurti ka folur para deputetëve të Kuvendit gjatë seancës për votimin e Qeverisë së re.
Ai ka theksuar se vendi ka kaluar mbi gjashtë muaj pa qeveri funksionale, një vonesë që e konsideron të paprecedentë në historinë e Kosovës dhe që ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore.
“Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve,” ka thënë Kurti.
Kryeministri në dorëheqje ka bërë thirrje për bashkëpunim institucional dhe ka theksuar rëndësinë e formimit të qeverisë për stabilitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.