Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka filluar punimet në seancën e Kuvendit me pikën e vetme për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Basha tha se në sallë janë 113 deputetë.
Ai ftoi mandatarin Albin Kurti për të paraqitur kabinetin e saj dhe programin qeverisës.
Kurti në sallë
Pas më shumë se një ore vonesë, mandatari për të formuar Qeverinë, Albin Kurti ka hyrë në sallën e Kuvendit.
Ai është parë në duar me një dosje, që mund të jetë e prezantimit të përbërjes së re qeveritare.
Ende është e paqartë nëse i ka votat e nevojshme - 61 sosh - për një mandat të ri në krye të Qeverisë.
Berisha: Nëse varet nga vota ime, unë do ta zhbllokoj
Deputeti Veton Berisha, nga Partia Liberale Egjiptiane, ka thënë se ai do të votojë pro Qeverisë së re nëse formimi ose jo i kësaj qeverie varet nga vota e tij.
I ndalur nga gazetarët para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, ai tha se është takuar mbrëmë me mandatarin Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe se pret të shohë se çfarë do të shpalosë ai sot në Kuvend.
“Nëse varet nga vota ime, unë do ta zhbllokoj”, tha Berisha.
Ai dhe deputetja boshnjake Duda Bale janë dy nga tre deputetët që përfaqësojnë pakicat joserbe në Kuvendin e Kosovës që kanë shprehur më shumë skepticizëm për një Qeveri të re. Bashkë me ta është edhe deputeti goran Adem Hoxha.
Në sallë edhe deputetët e LVV-së dhe PDK-së
Tashmë janë duke hyrë në sallë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Seanca mund të fillojë shpejt!
Disa deputetë mbërrijnë në sallë, votimi në mënyrë elektronike
Mbi dhjetë minuta pas orarit kur seanca e sotshme pritej të niste, tash në sallë kanë mbërritur disa prej deputetëve.
Në sallë shihen deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Në secilën ulëse të sallës tashmë janë shpërndarë disa fleta ku deputetët udhëzohen se si të votojnë përmes sistemit elektronik.
Kjo ka lënë të kuptohet që këtë herë votimi s’do të bëhet me ngritje të dorës, por në mënyrë elektronike.
Haradinaj: Epilogu i ditës së sotme dështim, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj para seancës së sotme tha se zgjidhja e vetme mbetën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Ai tha se epilogu i ditës së sotme mund të jetë dështim, andaj si zgjidhje i sheh zgjedhjet.
“Po presim lëvizjen e partisë që ka marrë më shumë vota, të shohim se çfarë po i ofron Kuvendit. Jemi në pritje të një rezultati të sotëm”.
“Epilogu i ditës së sotme mund të jetë dështim, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet”, vijoi tutje ai.
Deputetë të Listës Serbe nuk deklarohen për media
Deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, janë parë hyrë në Kuvendin e Kosovës për të marrë pjesë në seancën e thirrur në orën 10:00, por nuk janë deklaruar për media.
Ata kanë dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese meqë vlerësojnë se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb, nuk është në linjë me Kushtetutën dhe rregulloret e Kuvendit.
Rashiq i takon Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Kinolli me shpresë se dikush do të reflektojë për ta bërë Qeverinë “Kurti 3”
Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me VV-në dhe se e kanë përzgjedhur kandidatin për ministër nga partia e tij.
“Ne kandidatin e kemi këtu për ministër. Besoj që do të reflektojë dikush.
Me rëndësi që institucionet të formohen.
Jemi të gatshëm që me i pranu përgjegjësitë”, tha ai.
Haradinaj: Edhe po të ketë qeveri, do të jetë qeveri e pazareve
Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se edhe pse nuk beson se “do të ketë zgjidhje” për të formuar një qeveri të re sot, kjo gjë mbetet të shihet sot gjatë seancës.
Por, ai shtoi se edhe nëse do të arrihen numrat për të formuar qeverinë e re, “ kjo do të jetë një qeveri e pazareve e jo e programeve”.
“Nëse kanë arritur gjatë natës me pazare individuale, atëherë mbetet të shihet. Sa kam informata, do të tentohet me votim të fshehtë”, tha Haradinaj.
Ai aludoi në deklarimet që kanë bërë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje më parë se do të tentojnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme përmes marrëveshje individuale me deputetë.
Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen në ditën e fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka thënë në hyrje të Kuvendit se sot “bie perdja e mashtrimit” meqë sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për të formuar Qeveri të re.
“Punët e mira nuk lihen në ditën e fundit. Ja tani ku është mundësia për të parë të vërtetën.
Bllokuesit e vërtetë janë ata që nuk kanë arritur ta bëjnë një shumicë të thjeshtë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.