Dështon formimi i Qeverisë së re në Kuvend

Aktuale

Dështon formimi i Qeverisë së re në Kuvend

Më: 26 tetor 2025 Në ora: 07:35 Përditësuar në ora: 09:31 më 26.10.2025
Kuvendi i Kosovës

PDK nuk ka votë për Vetëvendosjen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë të dielën se partia e tij e ka bërë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të jetë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë votë për të.

I pyetur nëse PDK-ja do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë, në rast se Kurti dështon, ai ka thënë se për atë gjë do të ketë qëndrim zyrtar të partisë.

Duke hyrë në Kuvend, Tahiri nuk është deklaruar nëse partia të cilës i takon është më pro marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë, apo për zgjedhje të reja.

Edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar disa herë se nuk dëshiron koalicion me PDK-në.

Bekë Berisha pret të ketë zgjedhje të parakohshme

Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se ai pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi që nuk beson se mandatari për postin e kryeministrit, Albin Kurti, ka siguruar 61 votat e nevojshme.

“Ne s’kemi marrëveshje për këtë qeveri, unë s’kam votë për këtë qeveri”, tha Berisha për gazetarët, në hyrjen para Kuvendit të Kosovës.

Tashmë në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur edhe shumë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët megjithatë s’janë prononcuar.

Deklaratat e Kurtit ditëve të fundit

Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Duke folur në një takim me diasporën në Londër Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti më 21 tetor.

E diela e 26 tetorit është afati i fundit për të që të propozojë përbërjen e re qeveritare para Kuvendit. / REL

Çka nëse Kurti nuk i siguron votat e nevojshme?

Për ta zgjedhur Qeverinë e re, një mandatari i duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.

Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj. / REL

Të gjithë sytë të Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatar për formim të Qeverisë së re.

Ai e ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 tetor, një ditë pas konstitiuimit të Kuvendit.

Partia e Kurtit ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë.

Pavarësisht se anëtarë të partisë së tij kanë përmendur se janë zhvilluar negociata me disa parti politike, në publik nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë koalicion.

Kuvendi me njoftim për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të ditës së diel për zgjedhjen e qeverisë së re.

Në njoftimin e parlamentit për seancën e jashtëzakonshme përmendet pika e vetme e rendit të ditës së saj.

“Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Deputetët e legjislaturës së nëntë mblidhen nga ora 10:00.

Sot mbahet seanca për formimin e qeverisë së re

Albin Kurti sot ka ditën e fundit sipas mandatit që ka marrë nga Vjosa Osmani për të prezantuar kabinetin e tij qeverisës dhe programin qeverisës në rolin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Deputetët do të mblidhen në seancën e jashtëzakonshme plenare me rendin e vetëm të ditës - zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga ora 10:00, por për formimin e ekzekutivit të ri nevojiten 61 vota.

Në rast të mos formimit, Albin Kurti do të bëhet mandatari i parë që do të dështojë për krijimin e qeverisë së re, pasi në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash herën e parë.

Presidentja Osmani ka theksuar se nëse nuk kalon Qeveria e re sot, atëherë ajo brenda dhjetë ditëve do t'i ftojë partitë të shohin nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.

Nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, Osmani sipas Kushtetutës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve, raporton KosovaPress.

Në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash në herën e parë: Bajram Rexhepi në vitin 2002, Ramush Haradinaj 2004, Bajram Kosumi 2005, Agim Çeku 2006, Hashim Thaçi 2008, 2010, 2014, Isa Mustafa 2014, Ramush Haradinaj 2017, Avdullah Hoti 2020 dhe Albin Kurti 2020, 2021.

Kujtojmë, më 9 shkurt, Vetëvendosje doli fituese me 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK-Nisma 8. Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara, 9 prej të cilave u fituan nga Lista Serbe dhe një nga Nenad Rashiq Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë. 10 ulëse tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet jo-serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat