Deri dje ‘djali i Ukshin Hotit’, sot ‘i koritur’ – Andin Hoti shpërthen ndaj kritikave pasi Kurti e propozoi për ministrër

Aktuale

Deri dje ‘djali i Ukshin Hotit’, sot ‘i koritur’ – Andin Hoti shpërthen ndaj kritikave pasi Kurti e propozoi për ministrër

Nga: M.L. Më: 26 tetor 2025 Në ora: 19:33
Andin Hoti

Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, ka reaguar ndaj një sërë komentesh dhe paragjykimesh që i janë adresuar sot pasi Albin Kurti e propozoi në postin e ministrit të Mirëqenies dhe Familjes në Qeverisë Kurti 3.

Në një postim të gjatë dhe të sinqertë, Hoti flet për hipokrizinë e atyre që lidhin respektin ndaj një personi me përkatësinë politike, për zhgënjimet personale dhe për vendosmërinë e tij për të menduar e vepruar lirshëm.

Ai ka thënë se disa reagime i kanë ngjallur neveri. Ai ka thënë se askush nuk ia impnon bindjen.

Postimi i plotë:

Fatkeqësisht, sot duhet të dal nga heshtja ime e zakonshme dhe të them disa bindje që i kam mbajtur për shumë kohë brenda vetes.

Pas shumë reagimeve, shumicës prej të cilëve u jam mirënjohës, urimet e shumta 🫶 apo edhe kritikat njerëzore.

Por, sot ndjej nevojën të sqaroj disa gjëra. Janë disa reagime që më ngjallin neveri tash e shumë kohë.

Shprehje si: “Deri sot kam pas respekt për ty si djalë i Ukshin Hotit, por prej sot jo më”, “E korite emrin e babës”, “Të ka përdorur pushteti”, “Je shitur për interes”, janë fjalë që nuk tregojnë as shqetësim, as dashuri për idealin, por zhveshin nga çdo vlerë njerëzore respektin e rremë që disa paskan pasur.

Është e neveritshme kur dikush e lidh respektin ndaj një njeriu me bindjen e vet politike.

Pra, unë paskam qenë “i mirë” sa kohë mendoja si ti, dhe “i keq” sapo mendova vetë.

Deri dje “djali i Ukshin Hotit”, sot “i koritur”, vetëm pse potencialisht nuk jam në bindjen tënde.

Kjo nuk është as respekt, as ideal: Kjo është hipokrizi.

Para pak ditësh, një mik më tha: “Andin, kujtoji të gjithë ata dashamirë të Ukshinit, kur ti s’ishe fytyrë publike.”

Dhe mu kujtuan vitet e pasluftës, sfidat që i kaloi familja jonë, kur këta “patriotë” s’e dinin as emrin tim.

Kështu që, për ta thënë qartë:

As ju, as askush tjetër, nuk ma imponon bindjen. Nuk e shes, nuk e ndërroj dhe nuk e negocioj.

Unë jam aty ku dua të jem, ku e shoh të drejtë të jem, ku mendoj se mund të jap kontributin tim për vendin.

Këto ngjarje neveritëse, nuk janë të sotit, këto reagime të neveritshme janë të kahmotshme!

Nuk e fsheh që më dhemb kur e shoh se respekti që kam marrë nga disa, në fakt paska qenë i rremë.

E vetmja herë që jam mashtruar, është kur kam menduar se disa më kanë respektuar për atë se kush jam, e jo për bindjen politike që unë kam pasur.

Ndoshta mirësjellja ime e tepruar, ndoshta heshtja ime e gjatë (që brenda ka qenë shkatërruese), ka krijuar përshtypjen se unë jam tabelë qitjeje.

Por jo, nuk jam. Thjesht kam dashur të ruaj respektin, edhe kur ai ishte i rremë.

Nuk e di nëse do të vazhdoj të jem ai që nuk jam, por uroj që nëse ndonjë ditë bëhem ai që jam, të jem përsëri i matur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat