Osmani: Do të bëj çmos të shmang zgjedhjet e reja parlamentare

Aktuale

Osmani: Do të bëj çmos të shmang zgjedhjet e reja parlamentare

Më: 31 tetor 2025 Në ora: 16:07
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se do të bëjë çmos që t’i shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ajo pas takimit të premten me liderët e partive politike tha se nuk kishte pajtueshmëri për çështjen e mandatarit të dytë për ta formuar qeverinë e re.

E para e vendit tha se do të komunikojë sërish me kryetarët e partive politike deri më 5 nëntor për të parë nëse ka mundësi për të mandatuar mandatarin e dytë për qeverinë e re.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka qenë mandatar për kryeministër, ka dështuar javën e kaluar të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme.

Megjithatë, e para e vendit tha se Kurti si kryetar i partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit kërkoi edhe disa ditë kohë para se të skadojë afati prej dhjetë ditësh për çështjen e mandatarit të dytë.

Osmani tha se është në diskrecionin e saj për mandatarin e dytë, porse do të veprojë se kush ia argumenton se ka shumicën parlamentare, por jo domosdo nevojën për t’ia dëshmuar me 61 nënshkrime të deputetëve.

E para e vendit theksoi se në disa aktgjykime të Kushtetueses theksohet se mandatari i dytë për kryeministër duhet të jetë i ndryshëm nga mandatari i parë i cili ka dështuar ta formojë qeverinë.

Osmani: Nëse ka propozim për mandatar të ri atëherë hyjnë në shprehje afate të reja.

“Ata disa kishin qëndrime se nuk mund të krijojnë shumicë, kishte qëndrime që dëshirojnë të takohemi sërish për propozimin për caktimin e mandatarit të ri. Sipas Kushtetutës, Presidenca i ka dhjetë ditë deri në marrjen e vendimit nëse mandatohet mandatari i dytë apo jo. Ky afat skadon deri më 5 nëntor. Deri në atë datë do të komunikoj sërish me kryetarët e partive, do të jem në komunikim me ta dhe kushdo që ka gatishmëri të takohemi sërish, unë do t’i pres në takim... 37 Kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të më skadojë afati 10-ditor për caktimin e mandatarit të dytë. Pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që përfaqëson. Do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre, mirëpo ne kemi detyrim kushtetues t’i respektojmë ato afate. Nëse ka propozim për mandatar të ri atëherë hyjnë në shprehje afate të reja. Por nëse s’ka qeveri dihet që janë tridhjetë deri në katërdhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve...44:02 Sa i përket mandatarit të dytë mundet edhe i fundit me ardhur me propozim përderisa ka argumente se ka gjasa për të krijuar shumicë. Në lidhje me atë se cilat janë kriteret ato nuk janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe janë lënë në diskrecion të presidentes.... As nuk është që kërkohen domosdoshmërisht nënshkrime. Ajo do ta lehtësonte punën por nuk është kërkesë kushtetuese”, tha ajo.

Sipas saj, presidentja e vendit e ka obligim që të bëjë çmos që të shmangë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

Osmani: Do të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë që presidentja duhet të bëjë çmos që të evitojë zgjedhjet. Ky është detyrim i presidentes. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, dikush dëshiron sot, dikush nesër, por detyrimi i presidentes është çmos që të evitohen zgjedhjet. Atë detyrim duhet ta kryejë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, theksoi ajo.

Ajo tha se në takim me partitë politike nuk kishte dakordim as për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Për këtë arsye Osmani tha se do të përdorë dispozitat kushtetuese që ajo t’i dërgojë në Kuvend zgjatjen e buxhetit të vitit 2025 deri më 31 mars të vitit 2026, projektligjet për Planin e Rritjes së BE-së si dhe çështjen e RTK-së në mënyrë që punëtorët e këtij institucioni mos të mbesin pa paga.

Osmani: Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit

“Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit i cili sot ishte miratuar nga qeveria. Megjithatë unë propozova që të shikojmë mundësi të tjera kushtetuese dhe njëra prej tyre është zgjatja buxhetore e buxhetit të vjetër që së paku deri më 31 mars 2026 qytetarët tanë mos të përballen me një situatë ku nuk ka paga dhe mirëqenie... Propozimi im ishte se sipas nenit 79 të Kushtetutës që nëse ata nuk dakordohen që këto të iniciohen si nisma legjislative nga qeveria atëherë atë detyrim ta marrë unë dhe si presidente t’i propozoj zgjatjen buxhetore dhe Planin e Rritjes në Kuvend”, deklaroi Osmani.

Krahas kësaj, Osmani tha se edhe çështja e zgjedhjes së presidentit është përmendur në takimin me liderët e partive politike.

Osmanit i skadon mandati në mars 2026. Ajo përmendi rrezikun që vendi të shkojë edhe në palë zgjedhje vitin e ardhshëm nëse s’ka pajtim për zgjedhjen e presidentit. Ajo nënvizoi nevojën që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, mirëpo për këtë nevojiten ndryshime kushtetuese.

Osmani: E përkrah mundësinë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli

“Një situatë e tillë u përmend pak a shumë për me paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në tre-katër muajt në vijim. Kjo është situatë e rëndë, jo vetëm për KQZ-në, por edhe si një situatë ku qytetarët për një periudhë të gjatë i bie që mos t’i kenë institucionet e veta kushtetuese. U diskutua edhe mundësia që të kemi zgjedhje të drejtpërdrejta të institucionit të presidentit nga populli. Kjo është një mundësi që unë e përkrah plotësisht”, përfundoi Osmani, raporton KosovaPress. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat