“Nuk kishte prova që Thaçi udhëhiqte UÇK-në”, Hill përfundon dëshminë për sot, ja çka dëshmoi

Aktuale

“Nuk kishte prova që Thaçi udhëhiqte UÇK-në”, Hill përfundon dëshminë për sot, ja çka dëshmoi

Më: 10 nëntor 2025 Në ora: 09:14 Përditësuar në ora: 15:26 më 10.11.2025
Christopher Hill

Hill: Në çështjen e Kosovës u përfshiva për herë të parë në maj ‘98

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, e pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.

Hill theksoi se “jam përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998”.

“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.

Hill theksoi se në rolin e tij atëkohë i raportonte Albrightit. / REL

Hill nis dëshminë

Christopher Hill sapo e ka nisur dëshminë e tij.

Të gjithë të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

REL-i do t’ju sjellë hollësi nga dëshmia e tij.

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është diplomat karriere dhe ka qenë i përfshirë në çështje lidhur me Kosovën, përfshirë si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në bisedimet në Rambuje në vitin 1999.

Ai kishte disa takime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Hill, së bashku me diplomatin e lartë amerikan, Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik në qershor të ’98-ës.

Ndërsa, me ambasadorin William Walker e kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar të ’99-ës, për ta ndërmjetësuar lirimin e tetë ushtarëve serbë të cilët ishin zënë rob.

Diplomati Hill ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.

Megjithatë, bisedimet në Rambuje përfunduan pa sukses, pasi pala serbe nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke nxitur NATO-n ta kryejë një fushatë 78-ditore të bombardimeve ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomati amerikan së voni shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Rikthehen seancat në Hagë, sot nis dëshmia e Christopher Hill

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas kalendarit, sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Pas një ndërprerjeje të shkurtër, anulimi i seancave të mëparshme ishte bërë për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.

Sipas kalendarit të gjykatës, dëshmia e Hill do të nisë sot në orën 14:00 dhe do të zgjasë deri në 17:00. 

Seancat pritet të vazhdojnë edhe gjatë tri ditëve të ardhshme, nga ora 09:00 paradite.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat