PDK pas vendimit të PZAP-it: Do të vazhdojmë deri në fund, do të ankohemi në Supreme

Aktuale

PDK pas vendimit të PZAP-it: Do të vazhdojmë deri në fund, do të ankohemi në Supreme

Më: 14 nëntor 2025 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e zhgënjyer thellë me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën e kësaj partie politike lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicë.

Në reagimin e saj PDK-ja thekson se e konsiderojnë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë.

“PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”, thuhet në njoftim.

PDK-ja paralajmëron se nuk do të ndalen me kaq, ata do të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Ky subjekt politik deklaron: “PDK është dhe mbetet në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës. Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat