Analisti Driton Tali ka reaguar ashpër ndaj shkrimeve të Pëllumb Xhufit në Facebook, ku ky i fundit përpiqet të glorifikojë figurën e Enver Hoxhës.
Sipas Xhufit, Hoxha ishte ai që “solli çlirimin e vendit” dhe “shpëtoi Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm”, duke ripërsëritur një narrativë të vjetër se gjatë Konferencës së Paqes në Paris (1946) u diskutua për t’i hequr Shqipërisë Jugore “Vorioepirin” dhe se ministri britanik Bevin e kishte mbrojtur vendin tonë.
Tali rikujton se legalistët mbështesnin Mbretin Zog në Londër, dhe sfidon narrativat që etiketojnë ballistët si “kuislingë”, duke kujtuar bashkëpunimin e tyre me komunistët në Mukje më 1943. Ai kritikon gjithashtu heshtjen e komunistëve në dy vitet e para të luftës, përpara se Stalini të urdhëronte rezistencën në qershor 1941.
Shkrmi i plotë:
Pëllumb Xhufi edhe një herë flet broçkulla.
Sipas tij, Enver Hoxha qenka ai që “solli çlirimin e vendit” dhe “shpëtoi Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm”. Madje përsërit edhe narrativën e vjetër se në Konferencën e Paqes në Paris (1946) gjoja u diskutua për t’i hequr “Vorioepirin” – Shqipërinë e Jugut – dhe se këtë kërkesë të Greqisë e paskësh mbrojtur edhe ministri britanik Bevin. (Shiko tek minuta 12:00.)
Kjo është një prej atyre tregimeve që enveristët e mbajnë akoma si flamur. Me këso broçkulla përpiqen të justifikojnë figurën e Enver Hoxhës dhe të sistemit që e la Shqipërinë vendin më të varfër të Europës, duke prodhuar eksodin e parë me anijet Tirana dhe Iliria, për t’u kurorëzuar pastaj me eksodin e madh të anijes Vlora, dhe vazhduar në forma tjera.
Por çfarë ndodhi realisht në Konferencën e Paqes në Paris, korrik–tetor 1946?
Së pari, le t’u hyjë njëherë e mirë në kokë enveristëve se Shqipëria me më pak se një milion banorë nuk çonte asnjë peshë në skenën ndërkombëtare të pasluftës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria e vogël fisnore kishte më shumë luftë për pushtet të brendshëm sesa luftë antifashiste.
Të tre taborët kryesore – komunistët, ballistët dhe legalistët – donin një Shqipëri të pavarur, por secili nën sundimin e vet.
Për ta sqaruar edhe një herë:
Legalistët e kishin mbretin Zog në Londër. Po të ishte Zogu fashist, Çerçilli do ta kishte ekzekutuar pa menduar as një nanosekondë. Ka kaq logjikë kjo mesele!
Ballistët, sipas enveristëve, qenkan “kuislingë”. Po mirë, atëherë pse organizuat Mukjen me ta në gusht 1943? Në fillim të luftës do të kishte kuptim, por në gusht 1943?
Ups, harrova: në fillim as ju nuk rezistuat, sepse Xha Stalini ende nuk ju kishte dhënë urdhërin. Urdhri erdhi më 22 qershor 1941, kur Gjermania sulmoi BRSS.
Sa për t’jua freskuar memorien: Italia zyrtarisht e pushtoi Shqipërinë më 9 prill 1939 (e jo zyrtarisht e kishte pushtuar që nga marsi i 1930'ës).
Pra ballistët qenkëshin bërë “fashistë” pas 4 vitesh e më shumë, ndërkohë që vetë komunistët më shumë se dy vjet ishin në pushim derisa nuk i ftoi Xha Stalini për rezistencë. Realisht derisa nuk erdhën "shkijet" me ju organizu, nëntor 1941 (d.m.th., pas dy vjet e shtatë muaj).
Tani, për t’ia kujtuar profesor Xhufit – unë si jo-historian me vokacion, po sjell disa të dhëna elementare mbi Konferencën e Parisit 1946. Profesor Xhufi i ka këto në secilin libër serioz. I ka edhe te autori i tij i preferuar Martin Gbert, të cilin e përmend sa here që don me shit snobizëm intelektual provicnial. Le ta lexoje (ama le ta lexoje!!!) "The Origins of Cold War".
Nëse me të vërtet e lexon, do ta kuptojë se në atë kohë, Greqia ishte në Luftë Civile.
Dy aleatët kryesorë të Shqipërisë, Jugosllavia dhe BRSS, mbështesnin komunistët grekë, ndërsa ShBA dhe Britania mbështesnin palën tjetër.
Për këtë arsye, në konferencë nuk u hap fare tema e “Vorioepirit”, por me insistimin e sovjetikëve u prek shkurt çështja e Çamërisë.
Bevin dhe Byrnes (ShBA) kundërshtuan çdo ndryshim kufijsh.
Kaq ishte muhabeti.
Dhe a duhet t’ju rikujtoj se Shqipëria në Konferencën e Parisit as nuk ishte ftuar!?
Edhe Greqia vetë ishte në një pozitë të mjerueshme: jo vetëm pa influencë për të imponuar tema si ndryshimet kufitare, por në atë kohë grekët po thernin njëri-tjetrin në luftë civile.
Sa për OKB'në, pse Shqipëria nuk u anëtarësua menjëherë dhe si ndodhi më vonë – kjo mbetet për një shkrim tjetër.
https://youtu.be/0WeIOeEV5Nw?si=HIg8yTWRmeaLKoqC