Basha i mbyll diskutimet, por e lë të hapur seancën - Çka ndodhi në seancën për buxhet?

Aktuale

Basha i mbyll diskutimet, por e lë të hapur seancën - Çka ndodhi në seancën për buxhet?

Më: 19 nëntor 2025 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 12:51 më 19.11.2025
Dimal Basha

Basha i mbyll diskutimet, por e lë të hapur seancën

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka mbyllur diskutimet lidhur me pikat e rendit të ditës për seancën e parë të së mërkurës, por jo edhe vetë seancën.

“Në rast se kemi ndryshim të qëndrimeve, iu bëj thirrje të gjitha subjekteve politike dhe deputetëve që të mblidhemi dhe t’i kalojmë këto ligje që janë jetike për Kosovën”, tha Basha.

Gërvalla i bën ftesë LDK-së për të marrë pjesë në seancën për miratimin e buxhetit

Donika Gërvalla i ka bërë ftesë LDK-së për të marrë pjesë në seancën për miratimin e buxhetit.

“Ju ftoj publikisht, se si një parti e ardhur nga një traditë institucionaliste të mos bëheni bashkë me ata, të cilët nuk i respektojnë institucionet e shtetit, të cilët bllokojnë procese të rëndësishme, bllokojnë buxhetin e shtetit, bllokojnë paga dhe e bllokojnë të ardhmen e këtij vendi.

Bëj apel publik sot të gjithë juve që të vini në një orë më të vonshme dhe të votoni marrëveshjet ndërkombëtare”.

“Ky apel publik ju drejtohet juve të nderuar deputetë të LDK-së, me ftesën publike që në seancë të vini dhe të votoni zhbllokimin e proceseve kaq të rëndësishme”, deklaroi ajo.

Kurti flet në Kuvend, tregon arsyet pse duhet të votohen Komisionet parlamentare dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur sot në Kuvendin e Kosovës, gjersa ka treguar arsyet pse duhet të themelohen Komisionet parlamentare dhe pse duhet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai tha se këto komisione duhet të votohen si trupa të kuvendit, specifikisht katër të përhershmet.

Kurti ka ftuar po ashtu deputetët që të votojnë miratimin e projektligjeve, gjersa ka thënë se nëse nuk votohen ato dhe marrëveshjet ndërkombëtare atëherë mund të humbin miliona euro.

“... Çdo vonesë e mëtutjeshme e rrezikon përfitimin e fondeve... Një kredi me 0 për qind kamatë pret miratimin... do ta kishte lajmi secili shtet dhe as që do të duhej të diskutohej a duhet miratuar a jo”, tha ai, gjersa ka bërë thirrje të votohen tri marrëveshjen me Bankën Botërore dhe pikat tjera të rendit të ditës.

Sipas tij, kjo kredi pret ratifikimin në Kuvend për më shumë se një vit.

“... Nëse ka diçka për të cilën do të hyjmë në histori është pikërisht kjo që një kredi me 0 për qind kamatë pret ratifikimin që një vit ndërkohë që nuk do të duhej diskutim fare”, tha ai.

Ndryshe, PDK, LDK dhe AAK nuk po merr pjesë në seancën e nisur rreth orës 11:00.

Më poshtë mund t’i shikoni se cilat ishin pikat e rendit të ditës të kësaj seance.

Formimi i komisioneve parlamentare,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

Çështja e financimit të RTK-së. 

Gruda: Seanca për buxhetin do të mbahet mend si e paligjshme

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka shpjeguar pse partia e tij nuk ka marrë pjesë në seancën e thirrur për buxhetin 2026.

Së pari, ai tha se ka pikëpyetje nëse kryetari Dimal Basha e di nëse kjo seancë ka kuorum për t’u mbajtur.

“Kjo seancë do të mbahet mend për seancë të paligjshme dhe të pakushtueshme. Asnjë Kuvend nuk mund të mbajë seancë pa pasur Qeverinë”, u shpreh Gruda.

Megjithatë gjatë fjalimit të tij, Gruda u përballë me përplasje dhe pengesë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kusari: Kosova i humb 10% nga Plani i Rritjes, nëse nuk miratohet marrëveshja

Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se Kosova “do t’i humbë përherë 10 për qind” nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“Plani i Rritjes nga BE-ja ka afat skadimi. Nëse në dhjetor të vitit 2025 nuk miratohet marrëveshja, 10 për qind nga 880 milionë euro, humbin. Janë të pakthyeshme, nuk mund të kthehen edhe nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor”, tha Kusari.

Sa për dijeni, paraliza politike ka bërë gjithashtu që Kosova të mos jenë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nga i cili parashihet të përfitojë mbi 880 milionë euro.

Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Gruda i PDK-së shkon në Kuvend, do të flasë për buxhetin

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka arritur në Kuvend ku po mbahet seanca për miratimin e buxhetit.

Deputeti Gruda pritet që ta marrë fjalën gjatë kësaj seance, ku do të flasë rreth temës së buxhetit.

Kjo seancë është bojkotuar nga të gjitha ish-partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar mbajtjen e saj si jolegjitime.

Krahas deputetëve të VV-së, Veton Berisha i vetmi deputet në seancën e buxhetit

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha është i vetmi deputet krahas atyre të Lëvizjes Vetëvendosje që është i pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet seanca për buxhetin.

Ish-partitë opozitare, LDK, PDK, AAK dhe Nisma janë duke i bojkotuar punimet e saj.

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës në këtë seancë, do të jetë çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. 

Në këtë seancë po marrin pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, LVV, Guxo, Alternativa, derisa partitë tjera opozitare, nga PDK, LDK, AAK e Nisma, sikundër kanë deklaruar nuk po marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Krasniqi: Nisma nuk merr pjesë në seancën e Buxhetit, e as të Qeverisë

Arbëreshë Krasniqi, deputete e Nismës, është deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur për buxhetin 2026.

Para mediave, Krasniqi tha se Nisma nuk merr pjesë në këtë seancë, pasi sipas saj e njëjta është e thirrur jashtë rregullave ligjore, transmeton Klankosova.tv.

“Nisma dhe zotëri Limaj kanë qenë shumë konstruktiv përgjatë këtyre 10 muajve për t’i dhënë zgjidhje shtetit të Kosovës. Por kjo çështje nuk ka ndodhur. Si rezultat i gjithë kësaj kohe, dhe nga pagatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vet zotëri Kurtit, nuk është arritur një gjë e tillë, dhe si rezultat i kësaj situate joserioze të parë nga VV-ja, kemi ardhë në një gjendje të tillë”.

“Nisma nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, dhe arsyet që Nisma nuk merr pjesë janë tejet kuptimplota. Është seancë e thirrur jashtë rregullave ligjore”, tha Krasniqi.

Pos tjerash, Krasniqi tha se Nisma nuk do të marrë pjesë as në seancën e orës 14:00, seancë kjo e thirrur për zgjedhjen e qeverisë së re.

LDK, PDK dhe AAK bojkotojnë seancën - të pranishëm në sallë vetëm LVV

Sot, në orën 11:00, është thirrur një seancë për formimin e komisioneve parlamentare, në të cilën pritet të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimin e RTK-së.

Megjithatë, seanca e planifikuar ende nuk ka filluar, ndërsa në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tri subjektet opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.

Mbetet të shihet nëse do të ketë kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat