Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Gjermani, Oso Ferizi, ka reaguar ashpër ndaj zërave për një mundësi koalicioni mes LDK-së dhe Nismës së Fatmir Limajt, duke e quajtur një ide që “prek plagë të vjetra” dhe që cenon thellë identitetin rugovist të partisë.
Në një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar kryetarit Lumir Abdixhiku, kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Ferizi paralajmëron se një hap i tillë do të shkaktonte “zhgënjim, abstinim dhe refuzim” nga baza besnike e LDK-së, duke rikujtuar periudha të mëhershme përçarjesh brenda partisë.
Ai thekson se LDK-ja nuk ka mungesë kuadrosh dhe se zgjidhja e vetme është kthimi te parimet rugoviste, reformimi i brendshëm dhe bashkimi i figurave të anashkaluara ndër vite, e jo “shtegje artificiale” që, sipas tij, rrezikojnë dinjitetin e partisë.
Ferizi rikujtoi edhe rastin e ish-deputetit Fetah Rudi, duke e quajtur “plagë të gjallë të historisë së afërt” dhe duke kërkuar që LDK-ja të mos harrojë vuajtjet e tij.
Postimi i plotë:
Thirrje kryetarit Abdixhiku, kryesisë dhe KP të LDK-së.
Thirrje për Rugovistët e Vërtetë dhe Elektoratin Besnik të LDK-së
Përhapja e ideve dhe nxitjeve për një koalicion me partinë e F. Limajt, të njohur si “Nisma”, është goditje e rëndë për secilin Rugovist të vërtetë. Një hap i tillë prek plagë të vjetra, trazon ndërgjegjen e familjeve të ndershme dhe veprimtarëve që e njohin mirë historinë e sjelljeve të tij destruktive, përçarëse, shpifëse dhe urrejtëse — gjatë dhe pas luftës — kundër LDK-së, veprimtarëve të saj dhe Presidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova.
Çdo tentim për ta futur LDK-në në një bashkëpunim të tillë do të krijonte një valë të fuqishme zhgënjimi, abstinimi dhe refuzimi nga vetë baza që e ka mbajtur partinë gjallë për dekada, rikthim i ngjarjeve në kohen e F. Sejdiut, N. Dacit, I. Mustafës e V. Osmanit. LDK-ja nuk vuan mungesë kuadrosh. Nuk vuan mungesë njerëzish me vlera, me moral, dije me integritet. Përkundrazi — shumë prej tyre kanë mbetur të anashkaluar, dhe pikërisht tani është momenti të thirren, të rikthehen, të bashkohen, të ulen në një tryezë të sinqertë pajtimi dhe bashkimi brenda shtëpisë tonë politike.
Rruga e vetme është e qartë: analizë e ndershme e humbjeve, përballje me gabimet, reformë e vërtetë dhe kthim te parimet tona, e jo shtegje artificiale që rrezikojnë identitetin dhe dinjitetin e LDK-së.
Rasti i ish–luftëtarit dhe ish–veprimtarit,ish deputetit z. Fetah Rudi është plagë e gjallë e historisë së afërt. Ai ka kaluar nëpër një golgotë që asnjë Rugovist nuk guxon ta harrojë. Nëse sot, për disa vota, guxojmë t’i hapim ato plagë, atëherë po shkelim mbi njeriun, mbi sakrificën dhe mbi parimet që e kanë ndërtuar LDK-në.
Mos e sakrifikoni parimin për pushtetin.
Mos e rrezikoni dinjitetin për kompromis të momentit.
Mos lejoni të shuhet drita e vlerave rugoviste që na identifikojnë si parti.
Me respekt dhe përgjegjësi Rugoviste,
Oso Ferizi – ish kryetar Dega në Gjermani, 26.11.2025