Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ashpër ndaj disa propagandave dhe akuzave që janë hedhur ndaj liderit të tij, Albin Kurtit, pas publikimit të disa informacionëve dhe imazheve që, sipas tij, tentojnë të minojnë figurën dhe trashëgiminë politike të Kurtit.
Në një postim të fundit në Facebook, Dugolli ka shpërndarë një foto të veçantë që e cilëson si "fotoja origjinale dhe e vetmja e vërtetë" të lirimit të Albin Kurtit nga burgu, përpara 24 vitesh.
Ai ka shtuar se disa individë, ndoshta për shkak të interesave të sotme, do të dëshironin që lideri i Vetëvendosjes të mos dilte kurrë nga burgu, por kjo është e pamundur, pasi historia ecën përpara dhe shpërblen ata që kanë guximin, sakrifikohen dhe besojnë në popullin e tyre.
Postimi i plotë:
Kjo është fotoja origjinale dhe e vetmja e vërtetë e lirimit të Albin Kurtit nga burgu, para 24 vitesh.
Modestia, thjeshtësia dhe vizioni i një lideri të lindur janë tipare që e kanë përcjellë, atëherë dhe sot.
Disa, ndoshta nga perspektiva e interesave të sotme, do të dëshironin që Albini të mos dilte kurrë nga burgu. Por historia nuk rishkruhet me dëshira, nuk ndalet me pengesa dhe as nuk kthehet mbrapsht nga mllefi. Historia ecën përpara dhe i shpërblen ata që prinë me guxim, me sakrificë dhe me besim në popullin e tyre.
Ata qe nuk ndihen rehat me Albinin është mirë të pajtohen me realitetin, sepse historia ia jep secilit vendin sipas meritës, përkushtimit dhe angazhimit ndaj vendit.