Njohësi i çështjeve të sigurisë Korab Blakaj ka reaguar pas paralajmërimit të Serbisë për hapje të vendeve të punës në sistemin paralel shëndetësor në Kosovë, duke thënë se ky veprim i Beogradit zyrtar përbën fushatë direkte në favor të Listës Serbe para zgjedhjeve dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë menjëherë.
Në një postim në Facebook, Blakaj shkruan se bëhet fjalë për rreth 300 vende pune të hapura, me paralajmërim për edhe 50 të tjera në vazhdim.
“Këto janë veprime ilegale, destabilizuese, që cenojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës, rendin kushtetues dhe integritetin e procesit zgjedhor. Mosveprimi institucional nga ana e Kosovës sot do të thotë pajtim dhe normalizim i ndërhyrjeve tjera serbe nesër. Kjo praktikë duhet ndaluar”, shkruan Blakaj.
Kujtojmë, Serbia vazhdimisht po ndërhyn në punë të brendshme të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore. Konkurset për vende pune janë shpallur një javë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, derisa thirrje për votimin e Listës Serbe ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
E ashtuquajtura Zyra për Kosovën ka bërë të ditur se MSH e Serbisë ka shpallur konkurs për 300 vende pune në institucionet paralele në Kosovë. Në proces është edhe konkursi për 50 vende pune i hapur në fillim të kësaj jave.