Avokati Arianit Koci ka deklaruar se pas fitores së VV-së dhe liderit Albin Kurti, koha është për dorëheqje të figurave kryesore të opozitës – Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza.
Sipas tij, mungesa e një opozite të fortë dobëson demokracinë dhe pengon funksionimin e shtetit, ndërsa detyra e Kurtit mbetet ndërtimi i konsensusit shoqëror dhe avancimi i proceseve.
Postimi i plotë:
Ramush, Lumir, Bedri - koha për dorëheqje
Fitorja ishte e merituar. Albin Kurti është lider i pakontestueshëm.
Problemi mbetet opozita. Mungon lideri karizmatik që mobilizon dhe e sfidon realisht pushtetin. Pa këtë peshë, qeveria humb presionin dhe efikasitetin.
Në këtë gjendje, shteti nuk ecë mirë. E siç e shohim të gjithë - kemi ngecje.
Albinit i takon tani detyra për të ndërtuar konsensus shoqëror dhe për t’i shtyrë proceset përpara. E deri tani, këtë detyrë nuk e ka kryer si duhet.
Kosova funksionon mbi marrëveshje të gjera, jo mbi përjashtim.
Në anën tjetër, në demokracitë e zhvilluara, dorëheqja është akt përgjegjësie.
Prandaj, koha është për dorëheqje dhe hapje rruge nga: Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza.
Pa opozitë të fortë, demokracia dobësohet, dhe shteti nuk funksionon si duhet.