Anëtari i Kryesisë së GUXO, Kujtim Hajdaj, ka përkujtuar 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai theksoi se amaneti i Rugovës për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike dhe të respektuar duhet të jetë udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët.
Hajdaj nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë rugoviane dhe vlerave të paqes, solidaritetit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve, duke përkujtuar edhe heronjtë e tjerë të lirisë së Kosovës, përfshirë Adem Jasharin, Nënën Terezë dhe Adem Demaçin.
“Lavdi e përjetshme veprës njerëzore e kombëtare të Presidentit tonë historik Ibrahim Rugova”, përfundoi Hajdaj.
Postimi i plotë:
Mesazhet tona me rastin e 20 vjetorit e ndarjes nga jeta të Presidentit tonë historik Ibrahim Rugova, do të kenë kuptim vetëm nëse punojmë së bashku për t'i qëndruar besnik amanetit të Presidentit Rugova, ashtu siq e patë projektuar vet: për Kosovën e lirë, të pavarur, demokratike dhe dardane.
Të nderuar miq dhe bashkëguximtarë të frymës rugoviane,
Erdhi edhe ku janar, muaji i dhimbjes por edhe i krenarisë, që shënon 20 vjetorin e humbjes së Presidentit dhe Liderit tonë historik, Ibrahim Rugova.
Dhimbje, sepse mungesa e Presidentit po i mungon sot tërë Kosovës, atë Kosovë që e projektoi dhe deshti aq shumë: të lirë, të pavarur, demokratike dhe të respektuar nga bota e civilizuar demokratike perëndimore.
Krenar, sepse historia jonë më e re na e fali një burrështetas dhe vizionar që Kosovën e bëri të njohur për botën e mbarë. Kur përkujtojmë 21 janarin, duhet të përkujtojmë dhe ruajmë me atdhedashuri të madhe edhe veprën njerëzore, humane dhe kombëtare që na e la si trashëgim Presidenti Rugova.
Le të urojmë së bashku që ky Vit 2026, të jetë Vit i amanetit të Presidentit Rugova; i Adem Jasharit; i Nënës Terezë; i Anton Qetës, i Adem Demaçit.., dhe vit i të gjithë heronjëve tanë që ranë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, që shtetin tonë dardan ta ndërtojmë së bashku dhe ta ruajmë si sytë e ballit.
Përveq tjerash, Presidenti Rugova donte që në mes shqiptarëve të mbretëroi paqja, solidarizimi, mirëkuptimi dhe besimi se Kosova është shtëpia dhe pasuria e jonë e vetme e përbashkët, dhe si të tillë duhet ta ndërtojmë dhe ruajmë me përkushtim të përjetshëm.
Lavdi e përjetshme veprës njerëzore e kombëtare të Presidentit tonë historik Ibrahim Rugova!
FALEMINDERIT PRESIDENT!🙏🇽🇰🇦🇱🇺🇸🇬🇧🇪🇺🇧🇪