Kongresi amerikan shqyrton diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Aktuale

Kongresi amerikan shqyrton diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Më: 21 janar 2026 Në ora: 18:17
Kongresmeni amerikan Keith Self

Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë e rëndësishme ligjore që synon të hedhë dritë mbi trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të tyre.

Lajmi është bërë i ditur nga organizata Albanians for USA, e cila ka bërë të ditur se ky legjislacion e obligon Departamentin e Shtetit të SHBA-së të realizojë një vlerësim zyrtar, të detajuar dhe gjithëpërfshirës mbi diskriminimin institucional dhe sistematik që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas nismës, raporti që do të përgatitet nga Departamenti i Shtetit do të përfshijë analiza mbi të drejtat politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështje që lidhen me përfaqësimin institucional, përdorimin e gjuhës shqipe dhe qasjen në shërbime publike. Ky raport pritet të shërbejë si bazë e rëndësishme për informimin e politikës së jashtme amerikane dhe për ndërmarrjen e veprimeve të mundshme diplomatike ndaj Serbisë.

Organizata Albanians for USA ka vlerësuar këtë iniciativë si një hap domethënës drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se përfshirja e Kongresit amerikan rrit vëmendjen ndërkombëtare dhe ushtron presion për respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare në Serbi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat