Kryeziu i kundërpërgjigjet Hamzës për postin e Presidentit: Nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike!

Aktuale

Kryeziu i kundërpërgjigjet Hamzës për postin e Presidentit: Nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike!

Nga: M.L. Më: 22 janar 2026 Në ora: 11:21
Kadri Kryeziu

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, e konsideron si të gabueshme deklaratën e kreut të PDK-së, Bedri Hamza, se përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit të Republikës i takon LVV-së.

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka thënë se qëndrimi i Hamzës është kundërkushtetues, pasi sugjeron se posti i presidentit është çështje partiake.

“Në aspektin kushtetues, deklarata e Bedri Hamzës se përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit të Republikës i takon LVV-së është e gabuar. Me këtë qëndrim, sugjerohet se Presidenti është çështje partiake — gjë që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidenti nuk është përfaqësues i një partie, por një funksion mbi-partiak, i thirrur të mishërojë unitetin e popullit”, ka thënë ai.

Për këtë arsye, Kryeziu ka thënë se konsensusi për zgjedhjen e presidentit/es duhet të ndërtohet rreth një kandidati që përfaqëson unitet dhe jo pazare politike.

“Në një situatë normale demokratike, Presidenti duhet të jetë produkt i një konsensusi të gjerë, jo rezultat pazaresh politike për ndarje pozitash institucionale. Konsensusi duhet të ndërtohet rreth një kandidati që realisht përfaqëson unitetin dhe që angazhohet me përkushtim të plotë për suksesin e Republikës.

Presidenti nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike. Shembujt nga e shkuara nuk janë rruga përpara. Kushtetuta është rruga e vetme”, ka përfunduar Kryeziu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat