​Durmishi i reagon komunës: Rruga “Mon Balaj” s’është në përgjegjësi të MMPHI-së

Aktuale

​Durmishi i reagon komunës: Rruga “Mon Balaj” s’është në përgjegjësi të MMPHI-së

Më: 2 shkurt 2026 Në ora: 13:33
Zëvendësministri i Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi

Zëvendësministri i Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi ka reaguar ndaj Komunës së Prishtinës, lidhur me gjendjen e segmentit rrugor “Mon Balaj” në Kodrën e Trimave, duke sqaruar se mirëmbajtja e këtij segmenti nuk është në kompetencë e MI-së.

Durmishi shkruan se, MMPHI është plotësisht e përgatitur dhe përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve që janë nën juridiksionin e saj gjatë sezonit dimëror.

“Sipas ministrisë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët që menaxhohen nga MMPHI, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt”, shkruan ai.

Durmishi sqaron se segmenti i rrugës “Mon Balaj” në Kodrën e Trimave është në përgjegjësi të Komunës së Prishtinës, e cila edhe ka ndërhyrë në këtë pjesë duke vendosur pengesa.

“Sqarojmë se MMPHI nuk e ka në kompetencë mirëmbajtjen e segmentit të rrugës “Mon Balaj”. Ky segment është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila edhe ka ndërhyrë në këtë pjesë të rrugës duke vendosur pengesa”, shkruan ai.

Sipas tij, kompetencat e MI-së përfshijnë segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, pjesë nga e cila ka nisur edhe realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë.

Komuna e Prishtinës, ka theksuar se segmenti i rrugës "Mon Balaj", në Kodrën e Trimave, është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Megjithatë, përballë situatës së krijuar, Komuna e Prishtinës ka vepruar menjëherë dhe me përgjegjësi, sepse siguria e qytetarëve është prioritet absolut.

“Pavarësisht ndarjes së kompetencave, Komuna ka intervenuar mbrëmë dy herë në këtë segment rrugor, duke vepruar me vendosmëri për të parandaluar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim.

Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë aktive, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe do të ndërmarrim çdo masë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Interesi publik dhe siguria janë mbi çdo procedurë administrative”, shkruan Komuna e Prishtinës.

Dje, pasdite disa rrugë në Prishtinë dhe vende të tjera kanë qenë vështirë të kalueshme si pasojë e reshjeve të borës dhe ngricave. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat