Kuvendi shkon në pauzë, a do të ketë seancë për formimin e Qeverisë?
Kuvendi i Kosovës ka konstituar legjislaturën e X-të, aty ku Albulena Haxhiu u zgjodh Kryeparlamentare.
Po ashtu, u bë edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, duke kompletuar kështu formimin e legjislaturës së re.
Pasi që u realizuan të gjitha votimet, Haxhiu kërkoi nga të gjitha partitë që të formohen grupet parlamentare, në mënyrë që të jetë e mundur që të votohet buxheti për vitin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Nga Haxhiu u bë e ditur se sonte do të votohet edhe Qeveria e Kosovës, që është nevojë urgjente, pasi vendi ka kaluar më shumë se një vit me udhëheqës në detyrë.
Andaj, aktualisht Kuvendi është në pauzë, për t’u rikthyer më pas me grupet e formuara parlamentare dhe më pas të shkohet me votimin e Qeverisë.
Kujtojmë se nga PDK kanë kërkuar që në seancën e parë të punës së legjislaturës X të Kuvendit, që sipas tyre do të mbahet të enjten do të kërkojnë që të votohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe të dinjitetit të luftës sonë çlirimtare, krahas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe formimit të Qeverisë.
Konstituohet legjislatura e dhjetë e Kuvendi të Kosovës
Kuvendi në seancën e sotme konstituive zgjedhi kryetare, Albulena Haxhiun dhe pesë nënkryetarët.
Nga LVV-ja nënkryetar u zgjodh deputeti:
Ardian Gola, PDK, Vlora Çitaku, LDK, Kujtim Shala, Lista Serbe, Sllavko Simiq dhe Emilja Rexhepi. Nënkryetarët u votuan në pako.
Votohen në pako nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, këta janë emrat
Tashmë pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për, seanca ka vazhduar më pikën e radhës.
Sipas rendit të ditës, është votimi i pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje për nënkryetar është propozuar, Ardian Gola. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar Vlora Çitakut, LDK-ja ka propozuar Kujtim Shalën, Lista Serbe ka propozuar Sllavko Simiç dhe nga Komunitetet është propozuar Emilje Rexhepi.
Sipas marrëveshjes nënkryetarët e Kuvendit janë votur në pako nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
PDK e LDK kundër zgjedhjes së Haxhiut, AAK abstenoi
Me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
PDK dhe LDK kanë votuar kunder zgjedhjes së Albulena Haxhiut kryetare.
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka abstenuar.
Seanca e parë parlamentare që nga zgjedhjet e 28 dhjetorit është mbajtur sot.
Haxhiu: Me peshë kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve, do ta nderoj detyrën si Kryetare e Kuvendit
Pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, Albulena Haxhiu ka mbajtur një fjalim ku falënderoi deputetët dhe shprehu angazhimin e saj për të udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe transparencë.
“Lejoni që së pari të ju falënderoj për besimin e dhënë për udhëheqjen e legjislaturës së 7-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshen kushtetuese që ajo bart, dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Këtë besim do ta nderojmë me punë të përditshme, me transparencë dhe po ashtu me përkushtim të plotë. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë të shërbesh Republikës, rendit demokratik dhe ebsimit publik. Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, atyre që janë me ne, dhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti u shërben të gjithëve”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se detyra e saj do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira parlamentare.
“Do të sigurohem që secili prej jush të gjejë hapësirë këtu me dinjitet dhe respekt, sepse një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, tha Haxhiu.
Albulena Haxhiu bëhet kryeparlamentare
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka votuar për Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Me 66 vota për, Haxhiu kaloi, pasi partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi për kryeparlamentare.
Kujtojmë se dje u tha se për zgjedhjen e kryetarit ka konsensus mes partive politike, që u dakorduan po ashtu që të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.
Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët të Kuvendit të Republikës së Kosovës janë betuar në legjislaturën e 10-të.
120 deputetë të zgjedhur nga populli janë të ceritifikuar si në vijim:
LVV: 57
PDK: 22
LDK: 15
AAK: 6
SL: 9
Në seancë të pranishëm janë 118 deputetë.
Miratohet raporti i Komisonit për verifikim të mandateve
Është miratuar Komisioni për verifikimin e madateve.
Nga partitë u propozuan:
Adnan Rrustemi nga LVV, Përparim Gruda nga PDK, Armend Zemaj nga LDK, Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe dhe Albana Bytyqi nga AAK.
Edhe partitë tjera të pakicave jo-serbe propozuan emrat për formimin e komisionit për verifikim të mandateve.
Nis seanca konstituive e Kuvendit
Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur.
E planifikuar fillimisht për në orën 12:00, është shtyrë për në 17:00.
Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, njoftoi dje pas takimit me partitë politike, se ka pasur konsensus të 14 kryetarëve të subjekteve politike që të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.
Ai bëri të ditur të martën se kishte konsensus edhe për pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë të zgjedhjes së kryetarit dhe pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kurti: Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, para hyrjes në Kuvend, është deklaruar shkurt.
“Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë” – tha ai para gazetarëve.
Ndërkohë, seanca akoma nuk ka filluar edhe pse ishte planifikuar në 17:00.