Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit, konstituohet legjislatura e dhjetë

Aktuale

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit, konstituohet legjislatura e dhjetë

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 08:18 Përditësuar në ora: 17:20 më 11.02.2026
Albulena Haxhiu

Rashiq: Besoj që do të jem i propozuar për ministër

Nenad Rashiq, deputet i zgjedhur nga komuniteti serb, ka paralajmëruar se do të jetë ministër për Komunitete dhe Kthim.

Në një prononcim për mediat para se të hynte në sallën e Kuvendit për seancën konstituive, ai tha se beson që propozimi i Kurtit do të jetë me emrin e tij në të për ministër.

“Ende nuk kemi dëgjuar ekspozenë e kryeministrit, por sikur dy herë më parë, kam qenë i propozuar për ministër për Komunitete dhe Kthim, dhe besoj që do të mbetet propozimi i njëjtë”, u shpreh Rashiq.

Ai tha se do të votojë pro kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Rashiq tha se vendimi Kushtetueses duhet të respektohet, për sa i përket çështjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Zemaj (LDK): Pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat

Para nisjes së seancës konstituive, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar për postin e Kryetarit të Kuvendit pa një marrëveshje politike paraprake.

“Ne kemi deklaruar gjithmonë se bllokadën që e kishim fatkeqësisht për një vit të kaluar, dhe gjithçka që kemi vendosur në pjesën përmbajtësore politike, është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj.

Çitaku: Në seancën e parë të punës, do të kërkojmë të miratohet rezoluta e përgatitur nga ekspertët e pavarur për procesin në Hagë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka folur sot para se të filloj seanca konstituive e Kuvendit të Ksoovës.

Ajo ka falënderuar kolegët e saj nga partitë e tjera politike, që kanë pranuar që të shtyhet seanca për në orën 17:00.

“Ka momente kur politika hesht, dhe historia flet. Ky ka qenë një nga ato momente. 

Dua t’iu njoftoj që në seancën e parë të punës, bashkë me marrëveshjet ndëkrombëtare, do të kërkojmë që të miratohet edhe Rezoluta e përgatitur nga ekpertët e pavarur për procesin në Hagë Shpresoj që fryma e konsensusit që reflektoi dje për të shtyer seancën për në orën 17:00, të reflektohet edhe nesër për miratimin e kësaj rezolute”, ka thënë Çitaku. 

Kusari: Ka gjasa që sonte të jenë dy seanca

Kanë mbetur edhe pak minuta deri në fillimin e seancës për konstitutimin e Kuvendit të Kosovës, por deputetja Mimoza Kusari derisa po hynte në objektin e Kuvendit tha se mund të mbahet edhe seanca në të cilën do të hidhej në votim formimi i Qeverisë.

“Sot kemi ardhur për të konstituar organet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një ditë e cila është konsideruar se tashmë është e vonuar për faktin se shkoi shumë gjatë edhe procesi i rinumërimit. Kemi ardhur në ditët dhe javët e fundit kur shumë procese në Republikën tonë mund të rrezikohen, përfshirë miratimin e buxhetit, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat disa prej tyre në fakt kanë afat deri në fund të kësaj jave. Është shumë e rëndësishme që sot të votohet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për kryetarin e Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit, dhe pastaj të votohet qeveria që mund të procedojë me punë sa më parë. Ka gjasë që sonte të jenë dy seanca. Gjegjësisht sot të jenë dy seanca: njëra që fillon në orën 17:00, që ka të bëjë me organet e Kuvendit, dhe tjetra e cila fillon pastaj varësisht nga sa do të zgjasë kjo e para, që nuk besoj shumë. Është për t’u përshëndetur qasja bashkëpunuese e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e djeshme të ftuar nga kryetari i deritashëm i Kuvendit, zotëri Basha, ku ka pasur dakordim prej kërkesës për ndërrim të orarit të seancës e deri te procesi i votimit. Prandaj, jam optimiste që në seancën e parë nuk do të ketë vonesa, nuk do të ketë çështje të cilat mund të jenë befasi ose të papritura, të paplanifikuara, dhe pastaj të procedohet siç dihet me mandatarin dhe seancën tjetër”, tha ajo.

Ajo thotë se nuk a ndryshuar asgjë në raport me Listën Serbe

“Kanë ndodhur zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka ndodhur një proces i cili na ngarkon me shumë përgjegjësi të gjithë ne këtu që jemi. Por gjithashtu, qëndrimi ynë politik mbetet i pandryshuar. Asgjë në raport me qasjen dhe mosbesimin që kemi ndaj çfarëdo komunikimi apo bashkëpunimi me këtë grupim politik, që fatkeqësisht deri më tani ka treguar vetëm kundërshti në raport me interesin e Kosovës, asgjë nuk ka ndryshuar. Interesi i Kosovës është mbi të gjitha dhe ajo çfarë duhet të ndodhë sot është të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale, interesat e mijëra punëtorëve dhe gjithë atyre që janë në shërbim të këtij vendi, në sektorin publik por edhe në sektorin privat, e natyrisht edhe të procedohet me ato obligime që i kemi, që mund t’i kishim kryer para datës 6 tetor. Ato për të cilat u kërkua e u lutën shumë herë edhe partitë e opozitës, edhe nga ana jonë, edhe nga ana e Presidentit, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, afati i të cilave skadon tepër shpejt. Ndërsa ne prej atëherë deri tani e kemi qartësinë mbi vullnetin e qytetarëve të Republikës si asnjëherë më parë dhe mbi atë përgjegjësi ne do të sillemi dhe do të veprojmë sot”, tha ajo.

Por se cka do të ndodhë brenda seancës, Kusari nuk shpalosi detaje.

“Kam biseduar deri në këto momente, besoj që nuk do të ndryshojë. Se çfarë do të ndodhë brenda mbetet të shihet kur t’i prezantojë kryeministri Kurti të gjithë kabinetin qeveritar. Ju faleminderit shumë”, u rezervua ajo.

Kurse për cështjene presidentit apo presidentes, ajo tha se ende nuk është biseduar.

“Jo, ende nuk kemi biseduar për emrin për arsye se janë votimi për Kuvend e pastaj votimi për Qeveri, dhe pastaj do të vijë votimi për Presidentin”, tha ajo.

Albulena Haxhiu e propozuara për kryeparlamentare, Kusari-Lila për ministre

Sot, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancën konstituive, e cila do të nisë nga ora 17:00.

Para seancës, Mimoza Kusari, nga Lëvizja Vetëvendosje, njoftoi se Albulena Haxhiu  do propozohet  për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Kusari gjithashtu tha se vetë ajo do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, siç ishte propozuar edhe më parë.

Ky është rendi i ditës i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

Legjislatura e 10-të e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 17:00 dhe sipas rendit të ditës e rregullores së Kuvendit janë katër pika në shqyrtim.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Rendi i ditës i kësaj seance:

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

Betimi i deputetëve,

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet (njëri nga serbët e njëri nga të tjerët).

Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Këtë herë, sipas kryetarit të deritashëm Dimal Basha, ka dakordim nga partitë që votimi i nënkryetarëve të bëhet në pako.

Seancën konstituive e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat. 

Kuvendi sot në provën e parë të konsitutimit - pritet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve

Sot, në orën 17:00 do të zhvillohet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e tij.

Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, do të shërbejë si ndihmëse në hapje të punimeve.

Kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, ka mbajtur një mbledhje me përfaqësuesit e partive parlamentare për të dakorduar detajet organizative të seancës.

Në rendin e ditës përfshihet fillimisht formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, pasuar nga betimi i tyre.

Më pas do të vijojë votimi për Kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët.

Sipas marrëveshjes së fundit mes partive, nënkryetarët pritet të votohen si një pako e vetme, për të përshpejtuar procesin e konstituimit dhe më pas të vazhdohet me formimin e qeverisë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve, do të ulet në ulëset qendrore të sallës plenare, ndërsa partitë e tjera do të pozicionohen sipas praktikave të zakonshme parlamentare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat