Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK nuk voton, Lista Serbe nuk mori pjesë

Aktuale

Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK nuk voton, Lista Serbe nuk mori pjesë

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 15:05 Përditësuar në ora: 21:10 më 12.02.2026
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi miraton 16 komisione parlamentare

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë miratuar përbërjen e 16 komisioneve parlamentare.

Pro votuan 100 deputetë, 1 ishte kundër.

Prej 16 komisione, nëntë do të udhëhiqen nga deputetët e Listës Serbe, tri nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike dhe komunitetet nga një.

“Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, teksa mbylli punimet e kësaj seance.

Në seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi voton ndarjet buxhetore

Kuvendi i Kosovës me 99 vota deputetësh ka miratuar vendimin për ndarje buxhetore.

Për u deklaruan nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK e Grupi Multietnik.

Ministri Hekuran Murati sqaroi pse erdhi ky vendim.

“Kërkesa për zgjatjen buxhetore siç parashihet me nenin 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë është bërë në kuadër të nevojës për të përmbushur pagesat apo rrjedhën e pagesave pa ndërprerje dhe pa probleme përgjatë këtyre muajve për aq sa nuk kemi buxhet të miratuar”, tha ai.

Përvec mbështetjes që i dha Vetëvendosje si parti në pushtet, edhe Arian Tahiri shef i Grupit Parlamentar tha se PDK-ja voton për.

“Duke pasur parasysh situatën, në mënyrë që të kontribuohet e të ketë rrjedhshmëri edhe PDK voton për”.

Mbështetje pati edhe nga LDK-ja. “Duke marrë parasysh rrethanat buxhetore në të cilat është Kosova, e përkrahim edhe ne zgjatjen buxhetore për këtë muaj”, tha Jehona Lushaku shefe e deputetëve të LDK-së.

Edhe nga Grupi Multietnik mbështetën këtë ndarje. “Mbështetim propozimin për zgjatje buxhetore”, tha Artan Asllani shef i Grupit Multietnik

Njëjtë mbështetje pati edhe nga AAK-ja. “Kjo është procedurë standarde dhe e votojmë”, tha Besnik Tahiri shef i GP të AAK-së.

Ky është deputeti i LVV-së që votoi kundër Rezolutës për Hagën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka votuar kundër Rezolutës për Hagën.

Madje, ai ishte deputeti i vetëm që votoi kundër saj.

Pro Rezolutës votuan 90 deputetë.

Ndërkaq, LDK-ja nuk mori pjesë në votim pasi nuk iu përfshi pika për vrasjet e pasluftës.

Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK nuk voton

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku në rend të ditës janë tri pika për t’u shqyrtuar.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.

Në prezantimin e përmbajtjes, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur.

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.

INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.

KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.

KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Pritet të miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-ës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që pika e tretë e rendit të ditës, ajo për Rezolutën për Hagën, të dalë e para.

“Kërkoj që pika e tretë, ajo e Rezolutës për Hagën, të vendoset në pikën e parë, pasi kryetari Ramush Haradinaj e ka një obligim dhe ka dëshirë të jetë pjesë e votimit të kësaj rezolute”, tha Tahiri.

Kjo u aprovua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, teksa kërkoi që të votohet për ndërrimin e rendit të ditës.

101 deputetët e pranishëm votuan pro.

​Në seancën e sotme të Kuvendit nuk po merr pjesë Lista Serbe

Në seancën e Kuvendit të Kosoëvs, në të cilën pritet të miratohet projektrezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, nuk po marrin pjesë deputete e Listës Serbe.

Në këtë seancë do të shqyrtohet zgjatja buxhetore edhe për muajin mars dhe formimi i komisioneve parlamentare.

Kjo është seanca e parë pas konstituimit të djeshëm të legjislaturës së dhjetë.

Betohen 20 deputetë të rinj në Kuvend

Gjashtëmbëdhjetë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy nga komunitetet jo serbe janë betuar në Kuvendin e Kosovës, pasi të njëjtit kanë zënë vendet e bashkëpartiakëve të tyre, të cilët kanë marrë poste qeveritare.

Krahas këtyre, edhe dy deputetë nga PDK-ja, Uran Ismaili dhe Mërgim Lushtaku, të cilët nuk ishin dje në seancën konstituive, u betuan në Kuvend.

Këta janë deputetët që u betuan: Egzon Azemi, Fahrush Rexhepi, Bajram Mavriqi, Luan Aliu, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Arijeta Rexhepi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi, Ejup Ahmeti, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Ilir Qerimi, Mimoza Shala, Fridon Lala, Lazar Radulović.

Fillon seanca e Kuvendit

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku në rend të ditës janë tri pika për t’u shqyrtuar.

Deputetët do të trajtojnë zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars, formimin e komisioneve parlamentare, si dhe propozim-rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Kjo është seanca e parë pas konstituimit të djeshëm të legjislaturës së dhjetë.

Pak deputetë shihen në sallë

Kuvendi i Kosovës ka caktuar seancë sonte për në ora 19:00.

Derisa kanë kaluar 10 minuta kur do të duhej të niste seanca, në sallë shihen pak deputetë.

Duket se vonesat për nisjen e seancave të Kuvendit do të ndodhin edhe në këtë legjislaturë të re.

Në këtë seacnë, pritet që deputetët të miratojnë disa marrëveshje të rëndësishme.

Deputetët do të mblidhet në ora 19:00, ky është rendi i ditës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sonte prej orës 19:00. Në seancën plenare pritet të shqyrtohet rezoluta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe kërkesa e Qeverisë për zgjatje buxhetore edhe për muajin mars.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë, ku mes tjerash tha se janë funksionalizuar edhe gjashtëmbëdhjetë komisione parlamentare.

Ajo shtoi se nëntë komisione do t’i takojnë LVV-së, tri PDK-së, dy LDK-së, një Listës Serbe dhe një Grupit Parlamentar Multietnik.

Haxhiu: Në orën 19:00 mblidhemi në seancë plenare

“Do të ketë 16 komisione parlamentare, katër komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale. Ndarja e komisioneve sipas formulës është bërë sot në mbledhjen e Kryesisë. Natyrisht, grupet parlamentare në orën 19:00 do të njoftojnë se kush do të kryesojë me këto komisione parlamentare. LVV do të kryesojë me nëntë komisione, PDK tri komisione, LDK dy komisione, Lista Serbe një komision dhe Grupi Multietnik një komision. Po ashtu, miratuam që të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarjen buxhetore për muajin mars, një e dymbëdhjeta sipas Ligjit për Qeverinë. Qeveria ka bërë këtë kërkesë për Kuvendin, prandaj edhe kjo çështje do të jetë pikë e rendit të ditës”, tha ajo.

Krahas kësaj, Haxhiu tha se ka harmonizim mes grupeve parlamentare për të miratuar rezolutën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Haxhiu: Të jemi të unifikuar ndaj procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë

“Çështja tjetër do të lidhet me një rezolutë që ndërlidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas diskutimeve në Kryesi, ka vullnet nga grupet parlamentare që kjo rezolutë të marrë mbështetjen në Kuvend. Do të ketë paraprakisht një takim nga përfaqësuesit e GP për të diskutuar më tej rezolutën. Besoj se, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, kur bëhet fjalë për luftën e UÇK-së dhe proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë, duhet të jemi të unifikuar dhe të jemi bashkë”, shtoi Haxhiu.

Në anën tjetër, kryeparlamentarja u pyet edhe për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mes tyre edhe atë me Bankën Botërore, të cilës i skadon afati më 13 shkurt. Ajo tha se sapo legjislativi t’i ketë në procedurë, do t’i trajtojë ato.

Mirëpo, nuk tregoi nëse të premten do të thirret seancë tjetër për t’i miratuar të njëjtat.

Haxhiu: Sapo t’i kemi në procedurë marrëveshjet ndërkombëtare do t’i trajtojmë

“Sapo t’i kemi në procedurë në Kuvend, ne do t’i trajtojmë. Kuvendi ka procedura nëpër të cilat duhet të kalojë. Janë seancat e jashtëzakonshme dhe seancat e tjera. Ne jemi të vetëdijshëm se këto marrëveshje janë të rëndësishme, prandaj unë uroj që të ketë unifikim të grupeve parlamentare për mbështetje të tyre. Sigurisht edhe buxheti për vitin 2026 është i rëndësishëm dhe ai do të trajtohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit”, përfundoi Haxhiu

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, propozimi i komisioneve parlamentare në rend dite

Kryesia e re e Kuvendit është mbledhur sot për herë të parë, nën udhëheqjen e Kryeparlamentares Albulena Haxhiut. 

Mbledhja tashmë ka nisur.

Sipas njoftimit, në rend dite është vetëm një pikë “Propozimi për formimin e komisioneve parlamentare”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat