Ndyshimi i orarit në shkolla/ Driton Tali i ashpër: Ministër Çeku, fole një fjalë he burrë!

Aktuale

Ndyshimi i orarit në shkolla/ Driton Tali i ashpër: Ministër Çeku, fole një fjalë he burrë!

Nga: A.SH Më: 21 shkurt 2026 Në ora: 14:25
Hajrullah Çeku

Analisti Driton Tali ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përshtatjen e orarit të shkollave publike me nevojat e Ramazanit, duke e cilësuar atë si shkelje të parimit të shtetit laik dhe të Kushtetutës.

Në reagimin e tij, Tali thekson se në një shtet laik feja nuk ndikon në organizimin institucional dhe se ligji nuk mund të zbatohet sipas preferencave personale. Ai ka kritikuar heshtjen e institucioneve, duke përmendur kryeministrin Albin Kurti, ministrin Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Tali u ka bërë thirrje deputetëve që ose të respektojnë Nenin 8 të Kushtetutës, që e përcakton Kosovën si shtet laik, ose të hapin debat për ndryshim kushtetues. “Të dyja bashkë nuk shkojnë. Mjaft me këtë çirkuz institucional”, ka theksuar ai.

Reagimi i Talit:

Ministër Çeku, fole një fjalë he burrë!!!

Duket sikur disa nga udhëheqësit tanë ose nuk e kuptojnë laicitetin dhe ligjin, ose qëllimshëm i përziejnë konceptet.

Sidoqofte, të nderuar udhëheqës e deputetë, sa për me ju shpjegu sa më thjesht këtë mesele: në laicitet feja nuk ekziston për shtetin!

Çështjet fetare – nevojat, kërkesat, celebrimet – janë jashtë funksionimit institucional - nuk ndikojnë në organizimin e shtetit.

Sekulariteti, ndonëse edhe në këtë sistem religjioni është i ndarë nga shteti, por megjithate ka "mirëkuptime" dhe "akomodime" në mes religjionit dhe shtetit!

Por ligji nuk është çështje disponimi apo preferencash personale. Sidomos jo për juve që i keni hartuar dhe votuar vetë. Nuk mund të zgjedhësh cilin ligj ta respektosh e cilin jo. Në stilin "këtë ligj nuk po e respektoj se nuk po më konvenon; ketë ligj pak po se nuk prish punë; e ligjin tjetër të tërin po, se po më pëlqen".

Ky sihariqi i fundit i adaptimit të orarit shkollor (publik) me nevojat e ramazanit është sa anti ligjor dhe anti kushtetues aq më shumë e tregon seriozitetin e shtetit.

Jemi njëmend sui generis. Shkelet Kushtetuta (ligji i laicitetit) dhe i gjithë mekanizmi shtetëror hesht. Hesht kryeministri. Hesht ministri i Arsimit. Hesht kryetari i Komunës. Heshtin deputetët. Hesht prokuroria. Hesht gjykata...

E reagojnë mileti: secili sipas botëkuptimit të vet.

Zotni kryeministër Kurti, zotni ministër Çeku dhe zotni kryetar i Komunës Rama, nëse nuk doni shtet laik, e keni kuorumin e mjaftueshëm për me ndërru Kushtetutën.

Ndërrojeni Nenin 8, nga Shtet Laik në Shtet Sekular, nëse nuk jeni të zotë me mbajtë, se u bëmë horë para dynjes!

Jam i bindur se edhe deputetët e PDK'es ju përkrahin, veç sa deputeti i saj, Eman Rrahmani, ka marrë yrish moti!

Ose të respektohet Neni 8, ose hapne debat për ndryshim. Të dyja bashkë nuk shkojnë.

Mjaft me këtë çirkuz institucional!

PS: të nderuar udhëheqës dhe deputetë Shteti është rregulla dhe rend - një grumbull normash dhe procedurash. Pa to, “shteti” mbetet vetëm një abstraksion, një fjalë me pesë shkronja, pa përmbajtje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat