Konjufca, Osmani apo zgjedhjet? - Ky është qëndrimi i LDK-së

Aktuale

Konjufca, Osmani apo zgjedhjet? - Ky është qëndrimi i LDK-së

Më: 3 mars 2026 Në ora: 12:42 Përditësuar në ora: 14:35 më 03.03.2026
Besian Mustafa

LDK kërkon konsensus politik për presidentin

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë mbledhur në selinë e partisë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ky takim vjen një orë pas përfundimit të takimit të tretë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, raporton KosovaPress.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë asnjë propozim për president të vendit, tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Ai pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së tha se në takimin e sotëm të Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin nuk i është prezantuar asnjë emër për president, raporton KosovaPress.

Sipas tij, qëndrimi i përbashkët i deputetëve të LDK-së është se zgjedhjet janë të evitueshme, por nevojitet një konsensus për presidentin ose një marrëveshje politike.

Gjatë ditës u raportuar se në takimin e sotëm, Kurti i ka propozuar Abdixhikut emrin e Glauk Konjufcës për president.

==

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se do të respektojë çdo vendim që merr kryesia e LDK-së për çështjen e presidentit, përfshirë edhe mundësinë për ta votuar për një mandat të dytë Vjosa Osmanin.

“Prandaj po mbahet ky takim që t’i marrim informatat nga kryetari Abdixhiku...Do të diskutojmë dhe bëjmë debat dhe t’i marrim vendimet e duhura”, tha ai.

Edhe deputeti tjetër, Armend Zemaj, foli shkurt për media. Ai tha se ka shumë emra që do t’i rekomandonte për president nga radhët e LDK-së.

Zemaj theksoi se fillimisht ka votë për kandidatët e LDK-së për president, e më pas do të shohë përtej.

“Ka shumë emra në LDK që do t’i rekomandoja; ka shumë meritorë, prej të parit deri te i fundit e meritojnë. Unë kam votë për njerëzit e LDK-së, pastaj të shohim përtej”, tha ai.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat