Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit - LVV i drejtohet Kushtetueses

Aktuale

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit - LVV i drejtohet Kushtetueses

Më: 5 mars 2026 Në ora: 17:41 Përditësuar në ora: 22:33 më 05.03.2026
Kuvendi i Kosovës

Fillon seanca për presidentin

Seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka filluar me një mungesë të madhe deputetësh.

Vetëm 64 deputetë ishin të pranishëm në sallë, ndërsa mungojnë 56 të tjerë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të vijnë në seancë.

Abdixhiku: Presim shpërndarjen e Kuvendit qysh në mesnatë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “monopartiake” seancën e thirrur për të votuar kandidatët për postin e presidentit, duke thënë se kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje - Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku - tregojnë se nuk ka gatishmëri për bashkëpunim.

“Ka qenë kundërshtim që e kemi thënë vazhdimisht edhe publikisht që kandidati s’duhet të ketë librezë partiake.

Të dy kandidatët janë pjesë e LVV-së, kështu nuk arrihet konsensusi”, tha Abdixhiku, gjatë konferencës, ku u shfaq përkrah deputetëve të tjerë të LDK-së në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Ai insistoi se tani LDK-ja pret zgjedhje të parakohshme, duke thënë se pret që presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të nënshkruaje dekret për shpërndarje të Kuvendit, qysh në mesnatë.

LDK-ja pret shpërndarjen e Kuvendit në mesnatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se pret që sonte në mesnatë, kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, të shpërbehet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

LVV e propozon Fatmire Mullhaxha-Kollçakun për presidente të Kosovës

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka propozuar edhe kandidatin e dytë për president të Kosovës, duke plotësuar kushtet për një garë presidenciale.

Ajo e propozoi deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Besian Mustafa, e postoi në Facebook njoftimin e Kollçaku është kandidatja e dytë.

Partia e kryeministrit Albin Kurti e kishte propozuar paraprakisht edhe Glauk Konjufcën.

Seanca për votimin për president pritet të mbahet nga çasti në çast.

Rrustemi: Seanca mund të nisë edhe me një kandidat

Pak para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, Glauk Konjufca është ende i vetmi kandidat për këtë post.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se “deri më tani nuk kemi asnjë informacion për kandidatin e dytë”.

Sipas tij seanca mund të nis edhe pse ende nuk ka një kandidat të dytë. “Deputetët mund të nënshkruajnë për kandidatin tjetër kur të vijnë në seancë”, tha Rrustemi.

Ai tha se nuk mund ta konfirmojë se kandidate e Konjufcës është deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, për të cilën u raportua se më herët.

Ai shtoi se zgjedhjet nuk mund të shpallen nesër nëse sonte nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

S`ka kourum,ndërpritet seanca e jashtëzakonshme, do të ketë edhe një seancë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu i ka ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme, në të cilën pritet votimi i ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Konstatoj se në seancë janë 93 deputetë, përfshirë këtu edhe 9 deputetë nga komunitetet tjera, që nënkupton se nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin për votim të amendamenteve kushtetuese. Do të njoftoheni kur të plotësohen kushtet”, ka thënë Haxhiu.

Po ashtu, Haxhiu i ka ftuar deputetët që të qëndrojnë në ambientet e Kuvendit, pasi ka thënë se do të ketë edhe një seancë tjetër.

“Do të ketë edhe një seancë tjetër, prandaj ju ftoj të qëndroni në ambientet e Kuvendit. Seanca do të jetë në orën 22:00”, ka shtuar Haxhiu.

Nuk kalojnë amendamentet e Osmanit

Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani – që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit e jo nga Kuvendi – nuk kanë kaluar.

Të pranishëm ishin vetëm 93 deputetë, përfshirë 9 nga komuniteti joshumicë, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Për kalimin e tyre nevojiteshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 vende.

Prandaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe tha se do të ketë seancë të re.

Zemaj: Kërkesa për ndryshime kushtetuese është e vonshme

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në prag të nisjes së seancës së jashtëzakonshme për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për gjendjen e krijuar dhe ka thënë se kjo as nuk i ka hije demokracisë e as shtetndërtimit.

“Mbi të gjitha tendenca për një pushtet njëpartiak në Kosovë tash është shpërfaq edhe në këto orë të vona të natës. Ashtu siç ishte edhe në vitin e kaluar, që jemi munduar bashkë me juve dhe të gjithë ata që kanë dashur të na dëgjojnë se bllokada institucionale e ka një emër dhe një subjekt politik, që fatkeqësisht, për dikën fatmirësisht, është subjekti i parë. Edhe sonte seanca thirret në 8 e 20 për  orën 8 të mbrëmjes, dhe tash paramendoni edhe aspektin legal edhe përmbajtësor, edhe të kohës, por edhe të rregullores së Kuvendit”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se kërkesa për ndryshime kushtetuese është e vonshme. Sipas tij këto amendamente janë demokratike dhe të studiuara mirë në atë kohë, por është shprehur kundër mënyrës së procedimit.

“Këto ndryshime të cilat kanë kaluar edhe nëpër flitrat e Gjykatës Kushtetuese para një kohë të gjatë janë amendamente demokratike, kanë qenë të studiuara mirë në atë kohë, në rrethanat e zgjedhjes së presidentit të asaj kohe edhe në kuptimin e marrjes së mandatit edhe ndërprerjes së mandatit, por edhe të reformës zgjedhore dhe kushtetuese që ka qenë në Republikën e Kosiovës. Ndërsa mënyra qysh është proceduar në afatet e fundit kushtetuese për zgjedhjes së presidentit të vendit, edhe e dëmton demokracinë, por nuk i jep vlerë zgjidhjes që ne të kemi presidentin e ri të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Abdixhiku: LDK i mbështet dhe voton ndryshimet kushtetuese që Presidenti të zgjidhet nga populli

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë në seancën e jashtëzakonshme se LDK i voton amendamentet për ndryshimet kushtetuese, që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli.

Ai ka thënë se LDK në vitin 2011 ka qenë një nga përpiluesit e këtyre ndryshimeve dhe i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Tutje, ka thënë se pos 2/3 e votave të shqiptarëve duhen aq edhe nga pakicat.

Por, Lumir Abdixhiu tha se LDK i mbështet këto ndryshime.

“LDK i mbështet dhe i voton ndryshimet kushtetuese. Këto amendamente kushtetuese janë hartu nga LDK edhe në vitin 2011, në atë vit këto amendamente janë dërgu në Gjykatë Kushtetuese sepse janë bindje ideologjike që rrjedhin nga presidenti historik Ibrahim Rugova, presidenti duhet të zgjedhet nga populli”.

“Përveç që duhen 2/3 të shqiptarëve, duhen dhe 2/3 të pakicave dhe çështja e dytë, në ato amendamente thonë se këto hyjnë në fuqi 6 muaj pasi të votohen në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai. 

Lista Serbe nuk është e pranishme në seancë

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, mungon në seancën e sotme.

Kjo është një mungesë e rëndësishme për atë çfarë pritet në vijim.

Për të kaluar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit, nevojiten edhe ca vota nga Lista Serbe.

Lista Serbe ka 9 prej 20 vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë dhe kalimi i amendamenteve kërkon 2/3 e votave të këtyre komuniteteve, që nënkupton të paktën tri vota nga kjo parti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat