Rrëfimi prekës i Besarta Hamëz Jashari në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së

Aktuale

Rrëfimi prekës i Besarta Hamëz Jashari në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së

Nga: Bota sot Më: 6 mars 2026 Në ora: 18:00
Besarta dhe Rifat Jashari

Në përvjetorin e Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besarta Hamëz Jashari ka ndarë një rrëfim emocional në rrjetin social Facebook, duke kujtuar momentet familjare dhe mallin për të atin e saj, dëshmorin Hamëz Jashari.

Ajo shkruan se çdo vit, në këtë përvjetor, përjeton emocione të forta që, sipas saj, marrin kuptim të veçantë kur e di se ndahen nga mbarë kombi shqiptar.

Jashari thekson se ditën e nisi në odën e familjes, një traditë që e lidh me kujtimet e së kaluarës. Megjithatë, këtë herë, si edhe në vitet e fundit, aty nuk e gjeti të atin, të cilin e kujton si burim force shpirtërore dhe këshille.

Në rrëfimin e saj, Besarta Jashari rikujton edhe një episod nga janari i vitit 1996, kur Rifat Jashari ishte kthyer ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në një shtëpi të pabanuar të familjes. Ajo tregon se, si fëmijë, së bashku me të tjerët, kishin vënë re një “njeri të huaj” që herë pas here shfaqej në dritare dhe i shikonte nga larg, derisa në një moment ai doli nga shtëpia dhe ata kuptuan se ishte xhaxhai i tyre.

Postim i plotë:

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo vit më pushtojnë emocione të forta – emocione që marrin kuptim kur e di se janë ndarë dhe përjetuar nga mbarë kombi shqiptar.

Sot e nisa ditën në odën e familjes, ashtu si dikur.
Por sot aty nuk e gjeta babushin tim, siç e gjeja çdoherë… atë që më mbushte me forcë shpirtërore, që më dëgjonte e më këshillonte, atë që më jepte vetëbesim.

Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin.
Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën – ndoshta edhe diçka më shumë.

Ne e kemi të vështirë ta përmbushim mixhën Rifatin për mungesën e madhe që bart në zemër, për mallin e pashuar për familjen.

Më kujtohet janari i vitit 1996, kur mixha Rifat erdhi ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në shtëpinë e pabanuar të familjes.
Ne fëmijët, duke luajtur në oborr, kishim vërejtur se në “shtëpinë e dytë” ishte një njeri “i huaj”, i cili herë pas here dilte në dritare dhe na shikonte.

Derisa në një moment ai “i huaji” doli nga shtëpia dhe erdhi tek ne… dhe e pamë se ishte mixha Rifati.

Sot, pas tri dekadash, e kujtoj atë moment dhe i kuptoj më thellë emocionet e tij.
Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte.

Sot, pas gjithë këtyre viteve, ai po çmallet me nipat e mbesat e tij… duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.

Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK.

Lavdi

E juaja,
Besarta Hamëz Jashari

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat