Vetë të akuzuarit zbardhën vrasjen e Liridona Ademajt

Aktuale

Vetë të akuzuarit zbardhën vrasjen e Liridona Ademajt

Më: 17 prill 2026 Në ora: 14:40
Seanca

Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla në fjalën e tij përfundimtare tha se tre të akuzuari vetë e kanë zbardhur vrasjen e Liridona Ademaj.

Syla: Deklarimet argumentojnë fajin e të akuzuarve në tërësi

“Në secilën seancë aq më tepër vetëm është argumentuar ajo çfarë kemi thënë dhe se kjo do të zbardhet nga vetë të akuzuarit, qoftë duke tentuar ta fajësojnë njëri-tjetrin, apo duke u munduar të bashkëpunojnë kundër njëri-tjetrit, por që ka sjellë të njëjtin rezultat. Këtu duket që nëse në fillim kishte koordinim të mbrojtjes në tërësi, në fund mbrojtja e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës ju hakmorën Naim Murselit, duke tentuar t'ia lënë fajin vetëm atij por që nuk ka. Vërtetë deklarimet argumentojnë fajin e të akuzuarve në tërësi”, tha ai.

Ai për vrasjen e Liridona Ademaj kërkoi burgim të përjetshëm.

“Është argumentuar se bashkërisht, si krim i organizuar, duke punuar së bashku për një vit bashkë, e kanë organizuar këtë vrasje dhe që nëse për vrasje të tjera është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, si dënim maksimal, nuk kemi dënim më të madh, kështu që s'mund të themi burgim më pak se dënim me burgim të përjetshëm”, tha ai.

Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla tha se ky rast dallon nga të thera për shkak të planifikimit dhe përfshirjes së disa personave në ketë vrasje.

Syla: Kurrë s’kemi pas rast ku tre burra një vit planifikojnë me vrarë një grua

“Nuk ka pasur asnjëherë raste të ngjashëm ku ndryshe nga rastet e tjera ku në një nervozë momentale është vrarë një grua, veç kurrë s’kemi pas rast ku tre burra një vit planifikojnë me vrarë një grua e mandej mundohen të tre me u shfajësuar se kush, si, e qysh e ka bërë”, tha ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat