Dita e Punëtorëve, Kurti flet për paga më të larta dhe rritje të punësimit

Aktuale

Dita e Punëtorëve, Kurti flet për paga më të larta dhe rritje të punësimit

Nga: Bota sot Më: 1 maj 2026 Në ora: 14:22
Albin Kurti

Kyreministri Albin Kurti ka shkruar se 1 Maji, Dita e Punëtorëve, është një ditë kujtese dhe vlerësimi për kontributin e punëtorëve në shoqëri dhe për sakrificat historike nga të cilat kanë lindur të drejtat e punës.

Në mesazhin e tij, ai thekson se kjo ditë e ka origjinën në protestat e vitit 1886 në Çikago, ku punëtorët kërkuan kushte më të drejta pune, përfshirë tetë orë punë, tetë orë pushim dhe tetë orë jetë personale. Sipas tij, këto protesta u përballën me dhunë dhe viktima, por u bënë themel për të drejtat moderne të punëtorëve.

Ai shton se edhe në Kosovë, puna ka pasur rol të rëndësishëm jo vetëm në ekonomi, por edhe si formë qëndrese gjatë periudhave të vështira historike, dhe se sot punëtori mbetet shtylla e zhvillimit të shtetit.

Kurti gjithashtu thekson se 1 Maji duhet parë edhe si reflektim mbi gjendjen aktuale të punëtorëve në botë, ku sipas tij po rriten sfidat si punësimi i pasigurt, automatizimi dhe pabarazia ekonomike.

Në vijim, ai përmend disa masa të qeverisë së Kosovës, si rritjen e pagës minimale, programin “Superpuna”, mbështetjen për punësimin e të rinjve dhe grave, si dhe rritjen e pensioneve dhe shtesave sociale. Po ashtu, ai thekson përpjekjet për zgjerimin e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat