Abdixhiku propozon Vjosa Osmanin bartëse të listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Aktuale

Abdixhiku propozon Vjosa Osmanin bartëse të listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Më: 9 maj 2026 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 12:40 më 09.05.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Abdixhiku: LDK u angazhua për stabilitet, por përballë kishim një mendësi që kërkonte gjithçka

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa para nisjes së punimeve ka folur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se LDK është angazhuar për stabilitet institucional dhe politik në vend, duke marrë pjesë në diskutimet rreth çështjes së presidentit.

“Merreni me mend, Kosova sot ka kryetar të Kuvendit që ushtron detyrën e ushtruesit të presidentit të Republikës. Shmangia e kësaj gjendjeje ka qenë motivi im dhe i LDK-së për të marrë pjesë në ciklin e gjatë të diskutimeve rreth presidentit, një cikël që dështoi pak javë më parë”, tha ai.

LDK dhe unë jemi angazhuar për stabilitetin e vendit. Në një kohë tensionesh politike, ne zgjodhëm të sillemi si forcë shtetformuese, sepse na takon. LDK komunikoi me të gjithë, ofroi alternativa dhe ishte e gatshme për zgjidhje. Problemi ishte se përballë kishim një mendësi që kërkonte gjithçka, jo zgjidhje, kërkonte Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin. Kërkonte sistemin parti-shtet”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku propozon Vjosa Osmanin bartëse të listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka propozuar që Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës zgjedhore të LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa ai të garojë për kryeministër.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se ka propozuar një listë bashkuese, që sipas tij synon rikthimin e ekuilibrit politik dhe institucional në vend.

“Propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ngërthehet mbi rehatinë politike, por mbi përgjegjësinë shtetërore. Një listë që nuk synon vetëm rezultat zgjedhor, por kthim tek ekuilibrit politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Në këtë propozim timin kam propozuar garën të përbashkët për President të Republikës dhe për Kryeministër të Republikës.

Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… edhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua kryetarin e LDK-së si kandidat i LDK-së për Kryeministër të Republikës”, tha ai.

Haziri: Abdixhiku sot rinominohet për kryeministër, LDK-ja po bashkohet për fitoren e 7 qershorit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të partisë pritet të konfirmohen politikat zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit dhe rikandidimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kryeministër.

Haziri tha se Këshilli i Përgjithshëm është autoriteti përgjegjës për përcaktimin e politikave zgjedhore dhe listës së kandidatëve për deputetë.

“Kjo s’ka të bëjë me asnjë çështje tjetër, pos që sot Këshilli i Përgjithshëm, sot konfirmon politikat zgjedhore të 7 qershorit. Ky është autoriteti përgjegjës i LDK-së. Kryetari i LDK-së sot nominohet për kryeministër, natyrisht dhe vendoset politika e nominimit edhe e listës zgjedhore për 110 burra e gra që kanë me qenë pjesë e garës së përbashkët. LDK i ka hapur dyert, LDK i ka hapur mundësitë, LDK i fton të gjithë rugovistët, besimtarët në Republikën e Kosovës t’i bashkohen kësaj liste për ndryshimin e madh, edhe jo rastësisht në Ditën e Evropës. Sot festojmë Evropën e madhe, të cilën ne e kemi ëndërr pas lirisë dhe pavarësisë, ëndrra e popullit të Kosovës ka qenë familja e madhe evropiane, BE-ja. Kjo është krejt ajo që sot Lumir Abdixhiku ri-kandidohet për kryeministër nga ana e LDK-së dhe lista bashkohet për të dalë fitues në të gjithë 7 qershorin”, tha ai.

I pyetur për rikthimin e Agim Veliu në LDK, Haziri tha se ai dhe figura të tjera që kanë kontribuar në parti dhe shtet duhet të jenë pjesë e organizimit politik të partisë.

“Natyrisht që po. Agimi edhe të gjithë ato autoritete që kanë lënë gjurmë, që kanë dhënë kontribut dhe që i kanë dhënë vlerë politikës edhe shtetit, duhet dhe mund edhe patjetër që duhet të jenë pjesë e këtij qëllimi tonë të përbashkët. Agimi është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe është gjenerata pasuese e kryengritësve edhe kontributdhënësve si nacional-demokratë. LDK-ja është familja e tij politike, sikur që është e imja, sikur që është e shumë familjeve në Kosovë”, tha ai.

Abdixhiku para mbledhjes: Ditë shumë e madhe për LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mbledhja e sotme e Këshillit të Përgjithshëm të partisë është një ditë e rëndësishme për LDK-në, para nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet e 7 qershorit.

Para fillimit të mbledhjes, Abdixhiku u shpreh shkurt se partia do të jetë e bashkuar në procesin zgjedhor.

Ditë shumë e madhe për LDK-në, gjithë do t’i bëjmë bashkë”, tha Abdixhiku.

LDK mban sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pritet nominimi i kandidatit për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot nga ora 12:00 mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të dalin emrat e Vjosa Osmanit për presidente dhe të Lumir Abdixhikut për kryeministër.

Ndërkohë, mbrëmë ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një postimi në Facebook iu është drejtuar anëtarësisë së partisë, duke theksuar zotimin e tij për bashkimin e të gjitha grupeve brenda subjektit.

Ai ka deklaruar se synon t’i bashkojë ata që kanë qëndruar në parti, ata që janë larguar, ata që kanë heshtur dhe ata që ende besojnë në LDK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat