Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu kanë bërë homazhe te varri i heroit, Ilir Konushevci dhe Dr.Hazir Malaj në 28-vjetorin e rënies së tij.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj kanë shërbyer si inkurajim për gjeneratat që t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu: Shërbyen si inkurajim për shumë gjenerata që t’i bashkohen UÇK
“Sot kujtojmë dy figura të respektuara, dy heronj të Republikës së Kosovës dhe kombit tonë. Ilir Konushevci ishte vetëm 20 vjeç kur filloi angazhimin për lirinë e vendit. Në vitet e 90-ta kur territori i Republikës së Kosovës ishte i mbushur me dhunë policore, shtypje, diskriminim ndaj shqiptarëve të Kosovës, ai u bë pjesë e grupeve të para që po përgatnin rezistencën e armatosur. Ishte pjesë e grupit ‘Shqiponja’ dhe rreth tij kishte heronj si Zahir Pajaziti, Hakif Zenjullahu, Edmond Hoxha, të cilët zgjodhën rrugën e vështirë, të rrezikshme vetëm e vetëm që Republika jonë të jetë e pavarur dhe vendi ynë asokohe të çlirohej. Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj janë dy figura të rëndësishme të vendit tonë, ata kanë shërbyer si inkurajim për shumë gjenerata që t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Haxhiu.
Kurse, Kurti tha se Konushevci ishte shpirti i logjistikes çlirimtare.
Kurti: Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj e kishin idealin e njëjtë
“Njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria, të pandashëm për çlirim e për bashkim. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj nuk u ndanë asnjëherë nga njëri-tjetri, e kishin idealin e njëjtë, punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës, lirinë e popullit dhe për Republikën e pavarur dhe sovrane të cilën e gëzojmë sot. Ilir Konushevci si shpirti i logjistikës, furnizimit, ngritjes së luftës çlirimtare punoi shumë kohë para luftës në mënyrë që të luftojmë e të çlirohemi. Andaj sot kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës me armatimin e municionin modern që e ka, me radhët e saj që sa vijnë e shtohen, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj të gjithëve dëshmorëve të kombit, martirëve të luftës së fundit e në veçanti ndaj Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj”, tha Kurti.
Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj u vranë më 9 maj 1998 dhe vrasja e tyre shkaktoi humbje të madhe në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.