​Protestë për gjuhën shqipe, studentët e Kosovës në mbështetje të studentëve në Maqedoni të Veriut

Aktuale

​Protestë për gjuhën shqipe, studentët e Kosovës në mbështetje të studentëve në Maqedoni të Veriut

Më: 5 qershor 2026 Në ora: 19:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Një protestë u zhvillua së fundmi para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, ku studentë nga Universitetet e Kosovës ngritën zërin kundër mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë atje për t'iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Të mbledhur për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve të tyre, përfaqësuesit e parlamenteve studentore e cilësuan këtë zhvillim si një shkelje të rëndë të barazisë dhe dinjitetit.

Blerta Bajrami, kryetare e Këshillit Studentor të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, theksoi se kjo e drejtë buron nga ligji dhe nuk duhet të jetë në varësi të vullnetit të partive politike.

Ajo u shpreh se në vitin 2026 është e papranueshme që të vihet në diskutim dhënia e një provimi profesional në gjuhën amtare, duke shtuar se asnjë jurist nuk bëhet më pak profesionist nëse testohet në gjuhën që njeh më mirë.

Bajrami:Një shtet është më i fortë kur respekton të drejtat e atyre që kërkojnë barazi

Ne si studentë konsiderojmë që studentët kanë të drejtë t'i nënshtrohen provimeve në gjuhën që ata e njohin më mirë. Asnjë student nuk është më pak profesionist, asnjë jurist nuk është më pak profesionist nëse i nënshtrohet provimit në gjuhën që ai e njeh më mirë. Një shtet është edhe më i fortë kur respekton të drejtat e atyre që kërkojnë barazi, dinjitet dhe përfaqësim. Uroj që kjo të mos vazhdojë dhe uroj që kjo të marrë epilogun e duhur dhe të drejtat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të respektohen deri në fund”, tha ajo.

Emocione të forta u përcollën gjatë fjalimit të Vjesa Qeshi nga Universiteti i Prizrenit, e cila shpalosi flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para të pranishmëve, veprim që u shoqërua me thirrje masive nga turma.

Ajo deklaroi se gjuha shqipe nuk është një privilegj, por një e drejtë thelbësore, për të cilën është derdhur gjak e janë bërë sakrifica ndër breza.

Qeshi: Gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e secilit

Kjo është pikërisht arsyeja që sot ne jemi mbledhur, që gjuha shqipe të mos mohohet e të mos trajtohet si privilegj, sepse gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e secilit. Dhe jemi këtu dhe jo rastësisht sot unë kam me vete flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për me tregu qartë...Turma: UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK. Flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ta dërgojmë në vend amanetin e atyre që e kanë mbrojtur trojet shqiptare, gjuhën shqipe, dhe ne sot si studentë jemi këtu me një mesazh të qartë: Jemi këtu për të mbrojtur gjuhën shqipe”, tha ajo.

Po ashtu, përfaqësues të tjerë studentorë si Granit Spahiu dhe Drenar Humolli argumentuan se gjuha është thelbi i identitetit dhe se shoqëritë demokratike në Ballkanin Perëndimor duhet të ndërtohen mbi përfshirjen dhe jo mbi diskriminimin.

Ata theksuan se historia tregon një lidhje të thellë mes Prishtinës dhe shqiptarëve të Maqedonisë e Luginës, ndaj Kosova nuk mund të heshtë përballë kësaj padrejtësie.

Spahiu: Kërkojmë vetëm të drejtën e shqiptarëve

Nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk kërkojmë asnjë privilegj të madh, kërkojmë vetëm të drejtën e shqiptarëve për t'i nënshtruar një testi të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, gjuhën që ata më së miri e kuptojnë dhe e kanë gjuhë të nënës“, tha ai.

Protesta u mbyll me një mesazh të qartë dhe të unifikuar për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Nën thirrjet e vazhdueshme të turmës “Ne jemi bashkë!”, organizatorët premtuan se do të qëndrojnë krah vëllezërve dhe motrave të tyre derisa të drejtat e tyre gjuhësore të realizohen plotësisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat