Bekim Sejdiu kandidat për President, Vjosa Osmani vjen me mesazh të fuqishëm

Aktuale

Bekim Sejdiu kandidat për President, Vjosa Osmani vjen me mesazh të fuqishëm

Nga: A.M. Më: 31 gusht 2026 Në ora: 14:03
Vjosa Osmani dhe Bekim Sejdiu

Pas pajtimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidat për President të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i presidentes Vjosa Osmani.

Ajo e ka përshëndetur emrin e Sejdiut, duke e cilësuar si një figurë me seriozitet, integritet dhe vizion, ndërsa ka theksuar se ai është një profesionist i dëshmuar, të cilin e njeh nga afër pas 25 vitesh bashkëpunimi.

Osmani ka vlerësuar veçanërisht përvojën dhe përkushtimin e tij, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të zgjedhur që vendimin për presidentin e ardhshëm ta marrin duke pasur në fokus interesin shtetëror dhe stabilitetin institucional, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë.

Prof. Dr. Bekim Sejdiu.

Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij.

Në fund, vendimi i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë.

Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha! 🇽🇰

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat