Anëtari i Lëvizjes Guxo, Luan Gacaferi, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke kritikuar opozitën për bllokadat institucionale dhe mundësinë e shkuarjes së vendit sërish në zgjedhje.
Gacaferi ka rikujtuar zhvillimet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke pretenduar se opozita e bashkuar e kishte dërguar vendin në zgjedhje më 27 dhjetor të po atij viti, me synimin që ta ulte përkrahjen për Albin Kurtin nën 40 për qind.
Sipas tij, ky synim nuk u realizua, pasi Kurti në zgjedhjet e dhjetorit mori mbi 51 për qind të votave.
“Me 27 dhjetor 2025 opozita e bashkuar e dërgoi vendin në zgjedhje me bllokadë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, me shpresën se do ta zbresin Albinin nën 40 për qind! Por dështuan turpshëm sepse Albini në dhjetor të 2025 i fitoi mbi 51 për qind!”, ka shkruar Gacaferi.
Ai ka kritikuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për zhvillimet që pasuan zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Sipas Gacaferit, LDK-ja e kishte dërguar vendin në zgjedhje me pritshmërinë se do ta ulte rezultatin e Kurtit dhe do të arrinte mbi 25 për qind të votave.
“Me 7 qershor 2026, LDK e dërgoi vendin prapë në zgjedhje me bllokadën e saj, duke menduar se me Vjosa Osmanin, do e zbresin Albinin nën 40 për qind e LDK do kap mbi 25 për qind! Por prapë dështoi turpshëm LDK-ja”, ka deklaruar ai.
Gacaferi ka thënë se edhe PDK-ja, përmes qëndrimit të saj aktual, rrezikon që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje në dhjetor.
Ai ka pretenduar se PDK-ja mund të ketë shpresën se ndryshimi i situatës rreth ish-presidentit Hashim Thaçi do të ndikonte në rezultatin zgjedhor dhe në uljen e mbështetjes për Kurtin.
“Tani PDK me bllokadën e saj, do që prapë ta dërgojë vendin në zgjedhje në dhjetor të këtij viti, me shpresën se lirohet Hashim Thaçi nga burgu i Hagës, e kështu do ta zbresin Albinin nën 40 për qind! Por edhe PDK do të dështojë edhe më keq, me apo pa Hashimin!”, ka shkruar Gacaferi.
Në fund, ai ka vlerësuar se vetëm Kurti mund ta ulë vetë përkrahjen e tij elektorale nën 40 për qind, duke e lidhur suksesin e tij me dobësinë e opozitës.
“Albinin zbret nën 40 për qind, vetëm Albini dhe askush tjetër që ecën me dy këmbë mbi këtë tokë! Ndoshta edhe jo pse Albini është shumë i fortë, por opozita është shumë e dobët”, ka përfunduar Gacaferi.