Vrasja e 29-vjeçarit që tronditi Gjilanin, babai i dyshuar ende në arrati – Prokuroria zbulon detaje të reja

Aktuale

Vrasja e 29-vjeçarit që tronditi Gjilanin, babai i dyshuar ende në arrati – Prokuroria zbulon detaje të reja

Nga: A.M. Më: 12 tetor 2026 Në ora: 10:56
Fotoilustrim

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar dyshohet se u vra nga babai i tij, Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me detaje të reja lidhur me rastin.

Sipas Prokurorisë, 53-vjeçari R.A., i dyshuar për vrasjen e djalit të tij B.A., vazhdon të jetë në arrati, ndërsa motivet e krimit mbeten ende të panjohura, transmeton “Bota sot”.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë sekuestruar tri pushkë gjuetie me leje të skaduara.

Prokuroria ka bërë të ditur se as i dyshuari dhe as viktima nuk kishin të kaluar kriminale apo raste të raportuara të dhunës në familje.

Ndërkohë, është urdhëruar autopsia e trupit të viktimës, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Njoftim i plotë:

Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjilan, 12 Tetor 2026 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).

Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje - afat të skaduar.

I dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati.

Prokurori i shtetit, ka lëshuar Urdhëresën për Autopsi të trupit të pajetë të viktimës.

I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në Prokurorinë Themelore në Gjilan

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat