Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar sot para Gjykatës Supreme, duke kërkuar që lënda e tyre të trajtohet sa më shpejt. Ata thonë se vonesa në vendimmarrje po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, pasi punëtorët kanë mbetur pa paga.
Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, tha se punëtorët kanë dalë para Gjykatës Supreme për të kërkuar të drejtën e tyre, duke theksuar se pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe familje që presin një përgjigje.
“Pas kësaj lënde janë familjet tona”, punëtorët e NPB-së kërkojnë drejtësi nga Supremja
“Jemi këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj lënde, pas kësaj dere është lënda jonë, pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe qindra familje që presin një përgjigje. Pas kësaj lënde janë fëmijët tanë, janë faturat tona, është buka jonë e përditshme, është dinjiteti jonë i çdo punëtori. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, po kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, në mes është jeta e familjeve tona”, tha Prebreza.
Ai theksoi se, pavarësisht se nuk kanë marrë pagat, punëtorët kanë vazhduar të punojnë dhe të ofrojnë shërbime për qytetarët.
Punëtorët e NPB-së thonë se po vazhdojnë punën pavarësisht mungesës së pagave
“Edhe pse jemi të lodhur nga mosmarrja e pagës, ne prapë po vazhdojmë të punojmë ashtu siç kemi punuar deri më sot. Po vazhdojmë të jemi sa më afër qytetarëve në shërbim, që shërbimet që ju ofrojmë t’i ofrojmë sa më mirë. Ne jemi dora e djathtë e qytetit, ndaj kërkojmë nga Gjykata Supreme të bëhet dora e djathtë për ne. Edhe sot duhet të presim. Edhe sa muaj duhet të pres një punëtor për pagën e tij? Sa gjatë? Të punojë një njeri dhe mos marrë atë që i takon. Pse lëndët e tjera të palës trajtohen ndërsa e jona duhet të pritet?”, u shpreh ai.
Prebreza tha se punëtorët kanë pritur mjaftueshëm dhe kërkoi që lënda të trajtohet me urgjencë nga Gjykata Supreme.
Punëtorët kërkojnë fundin e pritjes: Nuk jemi kundër drejtësisë, kërkojmë drejtësi
“Kemi duruar, kemi pritur, por sot kemi ardhur këtu për t’ju thënë qartë: mjaft më me heshtje, mjaft më me vonesa, mjaft më punëtorët pa paga. Po ashtu, ne kërkojmë trajtim sa më të shpejtë të lëndës sonë nga Gjykata Supreme. Ne po vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë paqësore, që kërkesa jonë nuk ka të bëjë me pavarësinë e punës gjyqësorit në këtë çështje. Nuk jemi kundër drejtësisë, ne kërkojmë drejtësi. Nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë vetëm të drejtën tonë”, tha organizatori i protestës.
Ai kujtoi kontributin e punëtorëve gjatë viteve dhe veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke thënë se ata kanë vazhduar të punojnë edhe në kohët më të vështira.
Punëtorët e NPB-së kujtojnë punën gjatë COVID-19, kërkojnë trajtim urgjent të lëndës
“Ne kemi punuar kur të tjerët kanë pushuar, edhe në kohët më të vështira, siç ka qenë COVID-19. Kemi qenë në vendet tona të punës në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira dhe kemi dhënë kontributin tonë profesional. Prandaj, nga kjo protestë, i bëjmë thirrje Gjykatës Supreme të trajtojë me urgjencë atë që kërkon kjo situatë, për t’i dhënë fund një pritjeje që rëndon mbi qindra familje. Ne duam drejtësi. Sot zëri i mbi 380 punëtorëve duhet të dëgjohet nga të gjithë”, tha Prebreza.
Sipas tij, situata po prek drejtpërdrejt familjet e punëtorëve, ndërsa paga, siç tha ai, është një e drejtë elementare dhe çështje dinjiteti.
Mbi 380 punëtorë pa paga, kërkojnë zgjidhje që NPB-ja të vazhdojë funksionimin
“Paga është dinjitet e drejtë. Puna është dinjitet, por punëtori nuk është vetëm numër. Familja e punëtorit nuk mund të presë pa punësim. Ne kërkojmë që drejtësia të ecë me kohë dhe që një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e qindra familjeve të mos mbetet pa përgjigje. Mbi 380 punëtorë janë duke përjetuar këtë situatë. Ne duam të punojmë, ne duam t’i kryejmë punët tona, ne duam që ndërmarrja të funksionojë edhe më tutje dhe t’ju shërbejë qytetarëve të saj siç ka shërbyer deri më tani”, tha ai.
Në fund, Prebreza u bëri thirrje punëtorëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur në kërkesat e tyre.
Punëtorëve e NPB-së: Kërkojnë të drejtën e tyre elementare për pagën
“Le të qëndrojmë të bashkuar sepse vetëm kështu mund ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet. Sot jemi me një zë, jemi me një kërkesë të vetme dhe ajo është: punëtorët e NPB-së meritojnë të drejtën e tyre elementare, pagën. Le ta dëgjojë këtë zë institucioni, le ta dëgjojë këtë zë edhe opinioni publik: nuk kërkojmë asgjë që na takon. Kërkojmë vetëm atë që kemi fituar me punën tonë. Prandaj, kolegë të nderuar, të qëndrojmë të qetë, të vendosur dhe të palëkundur në kërkesat tona. Faleminderit”, përfundoi Prebreza.
Pas protestës, përfaqësues të NPB-së kanë hyrë në Gjykatën Supreme, ku kanë kërkuar informacion lidhur me lëndën e tyre. Si përgjigje, atyre u është thënë se lënda pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.