SHSKUK kërkon llogaridhënie nga spitalet rajonale, nisin procedurat disiplinore për dyshime për shkelje

Aktuale

SHSKUK kërkon llogaridhënie nga spitalet rajonale, nisin procedurat disiplinore për dyshime për shkelje

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 17:29
SHSKUK

Bordi Drejtues kërkon masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe analizimin e treguesve të vdekshmërisë, infeksioneve spitalore dhe komplikacioneve.

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka kërkuar rritjen e llogaridhënies së menaxhmenteve të spitaleve rajonale dhe ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore. Ndërkohë, kanë filluar procedurat disiplinore ndaj personave për të cilët janë evidentuar dyshime për shkelje.

Në mbledhjen e mbajtur më 16 tetor, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri, Bordi kërkoi që mangësitë e identifikuara të adresohen, rekomandimet e auditimit të zbatohen dhe për secilën masë të përcaktohen përgjegjësit dhe afatet kohore.

Sipas komunikatës, Bordi do të informohet në vazhdimësi për ecurinë e procedurave disiplinore dhe masat që do të ndërmerren.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte përmirësimi i monitorimit të shërbimeve spitalore. Për këtë qëllim, është kërkuar formimi i një grupi punues profesional për analizimin e treguesve të vdekshmërisë, infeksioneve spitalore, komplikacioneve, prerjeve cezariane dhe shfrytëzimit të kapaciteteve spitalore.

Bordi shqyrtoi edhe rezultatet e pyetësorëve të vetëvlerësimit të dhjetë klinikave kirurgjike, duke kërkuar hartimin e masave për përmirësimin e shërbimeve, koordinimin ndërmjet klinikave dhe zbatimin e protokolleve klinike. Po ashtu, u kërkua përcaktimi i prioriteteve për investime infrastrukturore.

Në të njëjtën mbledhje, Bordi miratoi unanimisht Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore të SHSKUK-së.

Gjatë diskutimeve u shqyrtuan edhe raporti i drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi, Draft-Raporti i Punës për periudhën janar–qershor 2026, si dhe çështjet që lidhen me investimet, furnizimin me barna dhe planifikimin buxhetor për vitin 2027.

Në përfundim, Bordi theksoi se menaxhmentet e spitaleve rajonale duhet të japin llogari për rezultatet e punës dhe zbatimin e masave të kërkuara, duke bërë të ditur se mbikëqyrja do të vazhdojë me synimin e rritjes së cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të shërbimeve shëndetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat