Musliu: Nëse presidentja kërkon rishqyrtimin e Ligjit për Specialen, secili deputet duhet të japë kontributin

Aktuale

Musliu: Nëse presidentja kërkon rishqyrtimin e Ligjit për Specialen, secili deputet duhet të japë kontributin

Më: 22 tetor 2026 Në ora: 15:02
Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se nëse presidentja Justina Shiroka-Pula kërkon që Ligji për Gjykatën Speciale të rishqyrtohet apo të ndryshohet, atëherë secili deputet duhet të kontribuojë në këtë proces, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Musliu i bëri këto komente pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ndërsa Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është në pritje të vendimit të presidentes.

Ajo theksoi se ligjet miratohen për qytetarët dhe për t'u zbatuar, duke nënvizuar rëndësinë e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe përgjegjësinë e deputetëve për ta shqyrtuar atë nëse paraqitet një kërkesë e tillë.

“Një gjë duhet ta keni të qartë se ligjet në Kuvendin e Kosovës nuk bëhen për deputetë, ligjet bëhen për qytetarë dhe për t’u implementuar. Ligji për Dhomat e Specializuara në këtë rast është një ligj i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe jo vetëm ky ligj, por secili ligj që ka nevojë qoftë edhe të ri-amandamentohet ose të rishqyrtohet, ne si deputetë duhet ta respektojmë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Musliu.

Ajo shtoi se, nëse presidentja kërkon rishqyrtimin ose ndryshimin e ligjit, deputetët duhet ta japin kontributin e tyre brenda kornizës kushtetuese dhe procedurave parlamentare.

“Prandaj, nëse kërkesa është nga presidentja që ligji duhet të rishqyrtohet apo ri-amandamentohet, mendoj se secili deputet duhet ta japë kontributin brenda Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës. Pra, me Kushtetutë dhe Rregullore, ne e kemi për obligim t’i rishqyrtojmë sa herë që ka kërkesë për t’i rishqyrtuar”, u shpreh ajo.

Ligji për Gjykatën Speciale ndodhet prej disa ditësh në pritje të vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për dekretimin e tij. Ndërkohë, në ditët e fundit, në media janë publikuar raportime se presidentja po shqyrton mundësinë që ligjin t'ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim.

Deri më tani, këto raportime nuk përbëjnë konfirmim zyrtar se ligji do të kthehet në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat