Mbahet mbledhja e parë për Strategjinë Shtetërore për Hagën, Konjufca tregon hapat e radhës

Aktuale

Mbahet mbledhja e parë për Strategjinë Shtetërore për Hagën, Konjufca tregon hapat e radhës

Nga: A.M. Më: 28 tetor 2026 Në ora: 19:34
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se është mbajtur mbledhja konstituive e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Konjufca ka theksuar se shteti i Kosovës do të ofrojë mbështetje të plotë për ish-drejtuesit e UÇK-së në procesin e apelit, duke paralajmëruar angazhim të përbashkët institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje për shtrembërimin e saj, transmeton “Bota sot”.

Reagimi i plotë

Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës e 28 shtatorit shprehu vullnetin tonë të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në vijim të saj dhe të vendimit të marrë nga Qeveria më 14 tetor, sot kryesova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në këtë mbledhje diskutuam drejtimet kryesore të strategjisë, caktuam grupet përgjegjëse për hartimin e saj, dhe përcaktuam planin e përgjithshëm të punës. Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel. Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë. Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat