Me rastin e 37-vjetorit të rënies së heronjve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kryetari i Prishtinës Përparim Rama së bashku me Ramush Haradinajn nga Aleanca, kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në lagjen Velania.
Kryetari Rama me këtë rast përkujtoi veprën e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliut.
Rama: Afrim Zhitia e Fahri Fazliu – njerëz të mëdhenj që sakrifikuan jetën për liri
“Jemi bërë të gjithë bashkë në kryeqytet nga të gjitha trojet për të nderuar njerëz të mëdhenj që kanë dhënë çdo gjë për vendin tonë, për lirinë tonë, për shtetin, për Republikën, për demokracinë. Falënderoj familjarët që janë gjithmonë bashkë këtu me neve dhe për sakrificën që kanë dhënë për këtë vend nëpërmjet të dashurve të tyre, Afrimin e Fahriun, lavdi dëshmorë, qofshim së bashku gjithmonë”, tha ai.
Edhe Ramush Haradinaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përfaqësues i Aleancës, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Haradinaj: Afrim Zhiria e Fahri Fazliu do të përkujtohen përjetësisht
“Një rënie e hershme që paralajmëroi luftën për liri, që paralajmëroi UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës. Do të jetë një brez i artë dhe do ti nderojmë përjetë, do t’i kujtojmë përjetë. Lavdi!”
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht më 2 nëntor 1989, pas një përballjeje të pabarabartë me forcat serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë, duke hyrë përgjithmonë në historinë e lirisë së Kosovës.