Kurti pret gjeneralmajorin amerikan Osborn, diskuton për transformimin dhe modernizimin e FSK-së

Aktuale

Kurti pret gjeneralmajorin amerikan Osborn, diskuton për transformimin dhe modernizimin e FSK-së

Nga: A.M. Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 18:10
Stephen E. Osborn, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Ajovës, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), shkruan “Bota sot”.

Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti e falënderoi gjeneralmajorin Osborn për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë e partneritetit me Gardën Kombëtare të Ajovës, duke veçuar kontributin e saj në trajnimin profesional, edukimin, lidershipin ushtarak, si dhe planifikimin operacional e logjistik.

Postim i plotë:

Partneritet i dyfishtë i Republikës sonë, me Ajovën si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik.

Sot pasdite, bashkë me Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneralmajor Stephen E. Osborn, të cilin e falënderova për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.

Biseduam për hapat tonë të parë, tejet të rëndësishëm, në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u pajtuam për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat