Mali i Zi afër BE-së: 23 kapituj të mbyllur, çfarë do të thotë kjo për shqiptarët e Ulqinit e të Malësisë

Aktuale

Mali i Zi afër BE-së: 23 kapituj të mbyllur, çfarë do të thotë kjo për shqiptarët e Ulqinit e të Malësisë

Nga: Bota sot Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 08:19
Fotoilustrim

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj negociatash me Bashkimin Evropian dhe ka avancuar më tej drejt anëtarësimit. Në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel të premten, më 6 nëntor, u mbyllën kapitulli 1 për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitulli 12 për sigurinë ushqimore dhe politikat veterinare e fitosanitare.

Me këto, Mali i Zi ka tani 23 kapituj të mbyllur, ndërsa 10 mbeten të hapur. Kryeministri Milojko Spajiq deklaroi se vendi dërgoi mesazhin se është gati për “fazën përfundimtare” të integrimit evropian.

Sipas planit, Podgorica synon t’i përfundojë negociatat deri në dhjetor 2026, ndërsa Traktati i Anëtarësimit pritet të nënshkruhet në qershor 2027. Në nëntor pritet mbyllja e pesë kapitujve të tjerë. Për dhjetor janë planifikuar kapitujt 23 dhe 24, për gjyqësorin, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Brukseli ka paralajmëruar se afatet janë orientuese dhe se çdo kthim mbrapa në reforma mund ta vonojë anëtarësimin. Pas nënshkrimit, traktati duhet të ratifikohet nga të 27 shtetet anëtare dhe nga vetë Mali i Zi.

Për shqiptarët e Malit të Zi, që jetojnë kryesisht në Ulqin, Tuz, Plavë e Guci, ky proces do të thotë që në një të ardhme të afërt do të jenë qytetarë të BE-së. Ritmi i Podgoricës bie në kontrast me atë të Shqipërisë, e cila sipas raportimeve ka mbyllur vetëm katër kapituj, dhe me atë të Kosovës, që mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat