Këto janë pritjet për ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë

Aktuale

Këto janë pritjet për ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 15:57
Mikhail Bogacheku

Nominimi i Mikhail Bogachekut për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është mirëpritur nga njohësit e zhvillimeve politike në vend, të cilët e vlerësojnë si një sinjal pozitiv për angazhimin e administratës Trump në rajon dhe mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë ka përcjellë të martën emrin e Bogachekut në Senatin amerikan për shqyrtim dhe konfirmim, së bashku me kandidatura të tjera për pozita diplomatike dhe institucionale. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur se kur Senati do ta shqyrtojë kandidaturën e tij.

Ish-ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, e ka cilësuar këtë zhvillim si një nga lajmet më të mira për Kosovën, veçanërisht në rrethanat aktuale politike dhe diplomatike, të karakterizuara nga zhvillimet rreth Gjykatës Speciale dhe sfidat në raport me Bashkimin Evropian.

Sipas Ukshinit, roli i Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe mbetet vendimtar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Ai thekson se institucionet e vendit, Ministria e Punëve të Jashtme, Kuvendi dhe partitë politike duhet të përgatiten për një komunikim intensiv me ambasadorin e ri.

Ukshini vlerëson se Kosova duhet të dëgjojë dhe të kuptojë pritjet e Uashingtonit, në mënyrë që të krijohen kushtet për rikthimin e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve.

“Pa diskutim që është lajmi më i mirë për mbyllje të fundvitit dhe për shkak të zhvillimeve që janë dramatike me Gjykatën Speciale dhe zhvillimeve të tjera në raport me Bashkimin Evropian. Është një lajm i mirë që vjen nga Uashingtoni. Pa dyshim, duhet ta kemi të qartë, jo për çështje të mitizuara, por padiskutim në shtetndërtimin tonë vula amerikane është vendimtare. Parë nga kjo perspektivë, mendoj se institucionet e Kosovës, Ministria e Jashtme, Kuvendi, partitë politike duhet të jenë të përgatitura për të ndërtuar një komunikim intensiv dhe për ta dëgjuar ambasadorin e ri se cilat janë obligimet e Kosovës për ta rikthyer dialogun strategjik me SHBA-në”, theksoi Ukshini.

Edhe analisti politik Lutfi Bilalli e sheh nominimin e Bogachekut si dëshmi të përkushtimit të administratës së presidentit Donald Trump ndaj kësaj pjese të Ballkanit.

Sipas Bilallit, profili menaxherial i kandidatit për ambasador mund të jetë një element interesant në funksion të zhvillimit të bashkëpunimit diplomatik dhe avancimit të proceseve të brendshme në Kosovë.

Ai shprehet se ambasadori i ri mund të shërbejë si shtysë për një sërë procesesh, përtej dialogut strategjik, duke krijuar një mundësi shtesë për institucionet e Kosovës që të komunikojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesin e Uashingtonit dhe të shpalosin më qartë interesat e vendit.

“Ardhja e ambasadorit, i cili besoj se do të konfirmohet nga Senati, tregon përkushtimin që ka për këtë pjesë të Ballkanit administrata Trump. Duket se është një figurë menaxheriale dhe është interesante ardhja e tij në Kosovë, se si do t’i ndihmojë proceset dhe a do ta thellojë bashkëpunimin diplomatik dhe proceset e brendshme. Të jetë shtysë dhe nxitës i shumë proceseve... Do të shërbejë në shumë procese, jo vetëm për dialogun strategjik. Do të jetë një shtysë e mirë, një adresë, pasi drejtpërdrejt Qeveria e Kosovës do të ketë mundësi të sqarojë më mirë dhe më tepër interesin e Kosovës”, shtoi ai.

Kosova ka mbetur pa ambasador të konfirmuar amerikan që nga fundi i dhjetorit të vitit 2024, kur Jeffrey Hovenier përfundoi mandatin e tij diplomatik në Prishtinë. Që nga largimi i tij, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është udhëhequr nga diplomatë në cilësinë e të Ngarkuarve me Punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat