Deputeti i Aleancës Burim Ramadani ka kritikuar sot Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjetikës, duke thënë se mungesa e planifikimit, vonesat në investime dhe mosrealizimi i objektivave kanë ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në shpenzimet e qytetarëve.
Ramadani në seancën plenare të Kuvendit, ka deklaruar se nga viti 2021 deri në tetor 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike, duke ngritur edhe çështjen e mos ndërtimit të një termocentrali të ri.
Ramadani: Me 1 miliard euro të shpenzuara për importin e rrymës do të ndërtohej një termocentral i ri
“Siç e dini, gjatë viteve 2021 e deri në tetor 2026, pra për 5 vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë edhe shtrenjtë. Janë heq më pak se 1 miliard e 55 milionë që është blerë rrymë për këto 5 vjet e gjysmë. A e dini që me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar komplet një Termocentrali i Ri. E pyetja normalisht mbetet, pse nuk u ndërtua një termocentral i ri? Sepse, duhet ta kthejmë kokën mbrapa dhe e shohim se kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë me mbyll projektin për termocentralin e ri. Domethënë, me këto e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme. Domethënë, e ka hapur derën e madhe për të blerë rrymë dhe e ka mbyllur derën për rrymë të mjaftueshme në Kosovë”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të jep llogari për dështimet në sektorin e energjetikës, duke theksuar se varësia nga importi ekspozon vendin tonë ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ramadani: Qeveria të jep llogari për mungesën e planifikimit dhe pasigurinë energjetike në Kosovë
“Sektori i energjetikës është jetik për Kosovën dhe si e tillë situata në të cilën ka mungesë planifikimit të duhur, ka vonesa në investime, ka mosrealizim të objektivave, shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta mbi ekonominë e Kosovës dhe xhepin e qytetarëve. Varësia nga importi e ka ekspozuar Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, rajonale dhe për këtë arsye Qeveria duhet të na sqarojë se çfarë masash kanë ndërmarrë për të rritur prodhimin vendor, për të modernizuar kapacitetet ekzistuese dhe për të krijuar burime të reja të qëndrueshme energjetike. Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe me rritje të shpenzimeve familjare. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të jep llogari për çështje konkrete e rezultate të munguara, e që do të duhej të ishin konkrete. E në këtë kontekst, ministria përgjegjëse duhet të jep llogari për vonesat në realizimin e projekteve dhe për masat që do të ndërmerren sivjet për shmangien e përsëritjes së problemeve të njëjta, sidomos në këtë dimër të vështirë që po na vjen”, ka thënë Ramadani.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për sektorin e energjetikës, ka kritikuar procesin e privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është mbrojtur interesi publik në këtë proces.
Kelmendi: Partitë që mbështetën privatizimin e KEDS-it duhet të përgjigjen para qytetarëve
“Vendimi për privatizimin u mor në vitin 2008. U finalizua në vjeshtën e vitit 2012 dhe hyri në fuqi në pranverën e vitit 2013. Oferta fituese e KEDS-it ishte 26.3 milionë euro. Kur e kemi parasysh se në KEK janë investuar rreth 180 milionë prej pasluftës e deri kur është privatizuar, kjo është privatizuar për vetëm 26.3 milionë euro. Në analizën e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, ekspertët dhe shoqëria civile ngritën shqetësime për mungesën e të dhënave mbi vlerën e asaj pasurie që vetëm po shitej. Kjo është çështje politike që akoma mbetet e hapur. Si u mbrojt interesi publik kur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre nuk e dinin as vlerën që po shitej. Partitë që në atë kohë e mbështetën këtë privatizim sot duhet të përgjigjen para qytetarëve”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka folur edhe për përgjegjësitë e operatorëve privatë në furnizimin me energji elektrike dhe ka kërkuar që akuzat për blerjen e rrymës nga kompani të caktuara të mbështeten me prova dhe dokumente konkrete.
Kelmendi: Nuk ka pasur blerje të rrymës nga kompania EFT
“Për pretendimet që disa herë i kemi dëgjuar për blerje nga EFT-ja, një kompani vërtet shumë e keqe, që me të drejtë Lëvizja Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e saj politikë, deputetët e Komitetit Profesional për Energjetikën, e kanë cilësuar si aktorin e mafisë energjetike, gjatë qeverisjes sonë kërkojmë të paraqiten prova kur publiku ka blerë rrymë nga EFT-ja, sepse ne të gjithë e dimë që nuk ka blerje të tilla nga asnjë kompani publike. Kur ka akuza për blerje publike të energjisë nga institucionet publike, kërkohen të publikohen kontratat, shitjet, pagesat e identifikuara e jo të shpërndahet mjegull. Emri i një tregtari në ankandet ndërkufitare nuk provon që energjia është ndalur në Kosovë. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë dallim”, ka thënë Kelmendi.
Në vazhdim të seancës, deputetët kanë në rend dite edhe shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përkatësisht Ligjin për Specialen.