Sveçla jep detaje për arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen në Gjakovë: U sekuestruan armët dhe një shumë parash

Aktuale

Sveçla jep detaje për arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen në Gjakovë: U sekuestruan armët dhe një shumë parash

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 08:59
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur që ndodhi në Gjakovë, gjatë së cilës mbeti i plagosur një qytetar.

Përmes një reagimi, Sveçla ka njoftuar se të dyshuarit janë identifikuar mbrëmë, ndërsa janë arrestuar sot, pas një pune intensive hetimore dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë.

Sipas tij, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe armët e përdorura në grabitje, si dhe një sasi e konsiderueshme parash, transmeton “Bota sot”.

Sveçla e ka vlerësuar këtë rezultat si dëshmi të profesionalizmit dhe përkushtimit të institucioneve të sigurisë, duke theksuar se personat që kryejnë vepra kriminale do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.

“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, ministri ka theksuar se mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe sundimi i ligjit, mbeten të panegociueshme.

Ndryshe, grabitja ndodhi më 16 nëntor në një lokal në Gjakovë, ku dy persona të maskuar, njëri i armatosur me armë zjarri dhe tjetri me çekan, grabitën stoli ari. Gjatë incidentit, njëri nga të dyshuarit dyshohet se plagosi në këmbë njërën nga viktimat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat