Kuvendi miraton në parim buxhetin 4.27 miliardë euro për vitin 2027, ja çfarë parashihet për pagat dhe shtesat për fëmijë

Aktuale

Kuvendi miraton në parim buxhetin 4.27 miliardë euro për vitin 2027, ja çfarë parashihet për pagat dhe shtesat për fëmijë

Nga: Bota sot Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 15:26 më 19.11.2026
Kuvendi i Kosovës

“Gjyqin na bëjnë qytetarët”, përplasje Kurti-Bajrami në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përplasur me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, gjatë seancës së sotme të Kuvendit. 

Gjatë debatit, Kurti iu drejtua Bajramit duke i thënë se ajo nuk është gjyqtare, por deputete, ndërsa theksoi se vlerësimin për punën e tij si kryeministër e bëjnë qytetarët përmes votës.

Kurti-Bajramit: Po e bëni gjyqtaren nga ulësja e deputetes së opozitës

“Unë jam kryeministër që jam zgjedhur katër herë kryeministër. Ju do të kishit dëshirë të ma bënit gjyqin mua, por ju nuk jeni gjyqtare, por deputete. Gjyqin na bëjnë qytetarët që na kanë bërë më 28 dhjetor e 7 qershor. Lexoni rezultatin zgjedhor në vend që të bëni gjyqtaren në ulësen e deputetes”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, Bajrami iu kundërpërgjigj kryeministrit, duke e akuzuar atë për bllokimin e vendit dhe duke thënë se Kurti kishte pasur mundësi ta zhbllokonte situatën, por nuk e kishte bërë deri më 6 tetor.

Bajrami-Kurtit: Nuk mund të bëhesh zhbllokuesi, pasi je bërë bllokuesi

“Nuk mund të bëhesh zhbllokuesi, por je bërë bllokuesi. E ke të qartë se natën e 6 tetorit e ke zhbllokuar situatën dhe ke zgjedhur presidenten në konferenca për shtyp. Ju jeni përgjegjës që deri në natën e 6 tetorit e keni mbajtur vendin të bllokuar”.

Kurti: Jam optimist i përmbajtur për Lojërat Mesdhetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vazhdon të jetë optimist për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, por ka pranuar se ekzistojnë shqetësime për realizimin e këtij projekti, për shkak të mungesës së unitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për situatën e krijuar rreth organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, Kurti ka kritikuar Komunën e Prishtinës për mungesë bashkëpunimi, ndërsa ka vlerësuar pozitivisht komunikimin me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).

Ai ka thënë se mungesa e unitetit të brendshëm e ka sjellë vendin në situatën aktuale, ku tashmë është vënë në pikëpyetje organizimi i Lojërave Mesdhetare.

Kurti: Jam optimist i përmbajtur për Lojërat Mesdhetare

“Ne duhet të jemi unik për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka të lehtë të bashkëpunojë me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi e komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë. Është fitore e madhe që ne e kemi marr përgjegjësinë në organizmin e Lojërave Mesdhetare, dhjetë komuna të Kosovës bashkë edhe me një komunë në Shqipëri, përkatësisht Durrësin dhe në anën tjetër planifikimi për investime, libri me të cilin kemi aplikuar e kemi fituar, duhet të zbatohet në plotni. Këtu ka pasur dallime e mospajtime ka edhe mosbesime dhe kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, pro do ta bëjmë me çdo kush pa korrupsion, kjo është tejet e rëndësishme për ne “, tha Kurti.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, ndërsa organizimi i tyre është një prej projekteve më të rëndësishme sportive për Kosovën. Përveç Prishtinës, në organizim janë të përfshira edhe dhjetë komuna të tjera të Kosovës, si dhe Durrësi i Shqipërisë, ku parashihet të zhvillohen garat e sportit të lundrimit.

Megjithatë, projekti është përballur me vështirësi dhe mosmarrëveshje ndërmjet institucioneve përgjegjëse, duke ngritur shqetësime për përmbushjen e obligimeve organizative dhe financiare para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

​Kurti e Rrahmani përplasen për Ligjin e Fertilizimit, Haxhiu ia ndal fjalën deputetit të PDK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Eman Rrahmani, janë përplasur në seancën e Kuvendit lidhur me Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Deputeti Rrahmani kritikoi Qeverinë për angazhimin që ky projektligj të miratohet, duke ngritur shqetësime lidhur me të drejtën e fëmijëve për të njohur prindërit biologjikë, si dhe dispozitat që, sipas tij, lidhen me surrogacinë dhe sterilizimin.

Rrahmani kritikon qeverinë që ky projektligj të miratohet

“Në mandatin e kaluar kemi kundërshtuar dhe penguar miratimin e projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim, megjithatë qeveria vazhdon ta trajtoj sjelljen e tij në kuvend me prioritet. Ju e keni arsyetuar se për shkak mos kalimit të këtij ligji po u pamundësohet marrja e këtij shërbimi në QKUK, që është hedhur poshtë për shkak se në vitin 2024 ka filluar të jepet ky shërbim dhe për pesë vite sa është vonuar, jeni përgjegjës që qytetarët duhet të marrin shërbime në institucione private dhe jashtë vendit. Pse është ky angazhim e ky nxitim për të ndikuar që ta njohin fëmijët prindin e tyre, nënën dhe babën biologjik”, tha ai.

Në përgjigje të tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria që ai drejton ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër e pasluftës për mbështetjen e nënave, fëmijëve dhe familjeve.

Kurti thotë se qeveria e tij është e vetmja që ka mbështetur nënat dhe fëmijët

“Nuk ka asnjë qeveri që mund të thoni se në Kosovën e pasluftës ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, për familjet. Për herë të parë kjo qeveri ka filluar me mbështetje financiare për nënat lehona, 100 mijë gra kanë hapur xhirollogari për herë të parë në jetën e tyre. Mbështetjen kemi vazhduar ta rrisim. Gratë që punojnë i mbështesim edhe më shumë. Nëse ka ndonjë qeveri që ka bë të madhe për nënat është kjo qeveri. Tash të më quani mua kundër familjes, për mua është absurde. Nëse ju e synoni një kauzë politike është legjitime, por tema është e gabuar, duhet të jeni kreativ më shumë se aq sepse ka panumërt vende ku do të duhej të kritikoheshim, por jo tek familjet”, tha Kurti.

Pas kësaj përgjigjeje, Rrahmani reagoi sërish, duke thënë se kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes së tij lidhur me përmbajtjen e projektligjit. Ai përsëriti kundërshtimet për dispozitat që, sipas pretendimeve të tij, lejojnë surrogat dhe sterilizimin në mosha të reja.

Rrahmani thotë se lejohen vajzat 18-vjeçare për sterilizim

“Nuk po përgjigjeni në atë që po flas. Për ligjin për fertilizim, fëmijës i ndalohet me ditë kë e ka nënë e baba, ju lejoni surrogat, një grua e përdorni si skllave. Ju si qeverisje, lejoni sterilizimin e vajzave 18 vjeçare me vullnet të lirë. Në ligjin për fertilizim, lejoni që burrat 23 vjet lejohet sterizilimi i burrave”, tha Rrahmani.

Kryeministri Kurti i hodhi poshtë pretendimet e deputetit të PDK-së, duke e ftuar atë që të njihet me rastet konkrete dhe të bashkëbisedojë me personat që preken nga kjo çështje.

Kryeministri Albin Kurti kërkon nga deputeti Eman Rrahmani të merret me tema tjera

“Pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta.. Shikoni rastet konkrete dhe bashkëbisedoni me ta, ndoshta ka ardhur koha me i dhënë fund ankesave tuaja në emër të grave të Kosovës, nuk e di se a i përfaqësoni, mendja ma merr që jo”, tha Kurti.

Në debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi mënyrën se si Rrahmani po e trajtonte çështjen e grave dhe vajzave.

Haxhiu e akuzoi deputetin për manipulim dhe deklaroi se nuk do të lejojë një qasje të tillë në Kuvend, duke ia ndaluar marrjen e mëtejshme të fjalës.

Albulena Haxhiu ia ndalon fjalën deputetit Eman Rrahmanit

“Nëse ju i trajtoni gratë edhe vajzat e vendit si pronë, si objekt, nuk lejoj qasje të tillë në Kuvendin e Kosovës. Manipulimi qe ti e bën po ashtu në Kuvend është shqetësues. Përmende faktin me sterilizimin e vajzave prej moshës 18-vjeçare. Qysh këtë qasje kështu, zoti Rahmani? Me këtë qasje nuk mund të vazhdosh. Dhe si rrjedhojë, nuk e merr fjalën”, tha Haxhiu. 

Kurti: Investimet në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese energjetike kanë qenë të vazhdueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë bërë më shumë investime në modernizimin dhe renovimin e termocentraleve ekzistuese sesa në periudhat e mëparshme.

Duke folur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës për sektorin e energjisë, Kurti tha se investimet në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese energjetike kanë qenë të vazhdueshme.

Kurti: Investimet në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese energjetike kanë qenë të vazhdueshme

“Kurrë nuk ka pasur më shumë investime për modernizimin dhe renovimin e termocentraleve ekzistuese. Ndërkaq, ju mua më njihni mirë. Në alternativën qeverisëse të LVV-së në vitin 2013 i ke B3 dhe B4. Ne nuk e kemi ndërruar atë program. Unë jam i interesuar të lexoj atë që ke shkruar, por, në vend të fotografisë, ma transkripto, se nuk e di a mund ta lexoj shkrimin, besoj”, tha ai.

Kurti në Kuvend foli për planet e Qeverisë në sektorin e energjisë, duke përmendur burimet e ripërtërirë, kogjenerimin, gazifikimin e linjitit dhe mundësinë e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm nga terminali i Vlorës në Shqipëri.

Ai tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj diversifikimit të burimeve të energjisë, ndërsa bëri të ditur se Kosova ka marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e terminalit të Vlorës.

Kurti: Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj diversifikimit të burimeve të energjisë

“Jo vetëm që kemi theksuar burimet e ripërtërirë dhe i qëndrojmë asaj, jo vetëm që kemi theksuar efiçiencën dhe kogjenerimin. Në zgjedhjet e fundit kemi fituar edhe me shqyrtimin serioz të gazifikimit të linjitit. Por edhe me shfrytëzimin e gazit të lëngshëm të terminalit të Vlorës, nga ku mund të marrim energjinë elektrike. Ne kemi marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e terminalit të Vlorës”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, duke e ndërlidhur kontrollin e Liqenit të Ujmanit me planifikimet strategjike për sektorin e energjisë.

Ai tha se sundimi i ligjit, pagesa e energjisë elektrike dhe kontrolli i Liqenit të Ujmanit janë të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Kurti: Kontrolli i Ujmanit ka rëndësi për kapaciteteve të reja energjetike

“Zhvillimet në veri të Kosovës. Ka sundim të ligjit, pagesë të energjisë elektrike dhe, mbi të gjitha, ka kontroll të Liqenit të Ujmanit. Nuk mund të bësh planifikime të reja, nuk mund të zhvillosh vizione dhe strategji për kapacitete energjetike përderisa nuk e kontrollon Ujmanin. Liqeni i Ujmanit ka më shumë se trefish ujë krahasuar me tri liqenet e tjera së bashku, Radoniqin, Batllavën dhe Badovcin”, tha ai.

​Rizvanolli: Serbia nuk i liroi linjat energjetike, BE-ja u njoftua para vendimit të Qeverisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se vendimi për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe është marrë pas përpjekjeve disavjeçare për zgjidhjen e çështjes së bllokimit të linjave energjetike nga Serbia.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Rizvanolli tha se kjo çështje është ngritur që nga viti 2021, kur KOSTT kishte paraqitur ankesë zyrtare lidhur me moslirimin e linjave të transmetimit.

Ajo theksoi se në vitin 2025, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen ligjore nga Serbia, duke i dhënë afat deri më 1 korrik 2026 për lirimin e linjave.

Rizvanolli tregon se BE-ja është njoftuar para marrjes së vendimit për ndalimin e tregimit

“Veprimet kanë filluar të ndërmerren dhe kjo çështje ka filluar të ngrihet që nga viti 2021. KOSTT-i zyrtarisht ka bërë një ankesë. Kronologjia e vendimmarrjes ka qenë e tillë që tek në vitin 2025 është miratuar nga Këshilli i Ministrave të komunitetit të energjisë një vendim, i cili ka konstatuar shkeljen ligjore të Serbisë në rastin e moslirimit të linjave. Vendimi i ka dhënë afat Serbisë deri më 1 korrik 2026 për të liruar linjat. Kjo nuk ka ndodhur. Me këtë rast, BE-ja ka propozuar një zgjidhje me ndërmjetësimin e tyre, ne i kemi dhënë edhe disa muaj kohë për të realizuar këtë zgjidhje. Pasi kjo nuk ka ndodhur ne kemi lajmëruar paraprakisht BE-në disa ditë më herët dhe kemi marrë këtë vendim”, tha Rizvanolli.

Ministrja shtoi se pavarësisht ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe kohës shtesë të dhënë për zgjidhjen e çështjes, Serbia nuk e ka përmbushur obligimin për lirimin e linjave. 

Vitia për suspendimin e farmacistëve: Hetimi ka nisur muaj më parë dhe nuk përfundon këtu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se hetimi lidhur me problemet në furnizimin me barna ka nisur disa muaj më parë dhe se procesi nuk ka përfunduar me suspendimin e katër farmacistëve.

Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e barnave dhe masat e ndërmarra ndaj farmacistëve, Vitia tha se informimi i publikut për hetimin ishte bërë një ditë pas fillimit të tij, ndërsa suspendimet ishin realizuar në ditën kur ai po raportonte në Kuvend në kuadër të një interpelance.

Ministri theksoi se hetimet do të vazhdojnë dhe se deri më tani janë ndërmarrë masa ndaj farmacistëve për çështjet që janë evidentuar.

Vitia për suspendimin e farmacistëve: Hetimi ka nisur muaj më parë dhe nuk përfundon këtu

“Ky hetim ka filluar muaj më parë dhe, për informimin tuaj, publik është bërë një ditë pas, por suspendimi ka ndodhur në ditën kur është mbajtur seanca, kur kam qenë në interpelancë. Ky hetim nuk mbaron këtu. Do të thotë, ka filluar dhe për atë që është evidentuar te farmacistët janë marrë masa, ndërsa hetimi po vazhdon”. 

Kurti paralajmëron ligj të ri për Specialen: Drafti i parë pritet javën e ardhshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se drafti i parë pritet të jetë gati javën e ardhshme.

Pas shtyrjes së seancës së Kuvendit, ku ishte paraparë të shqyrtohej ligji për Specialen, Kurti tha se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të sjellë propozimin për ligjin e ri.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se në grupin punues janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në hartimin e dokumenteve janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.

Ai theksoi se përmbajtja e ligjit të ri duhet të punohet me kujdes, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës dhe më pas të procedohet për diskutim e miratim.

Kurti paralajmëron ligj të ri për Specialen

“Ne jemi të bindur se korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në apel. Kjo do të jetë diku në vitin 2027. Nga pakënaqësia lidhur me atë aktgjykim erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin ne patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton qëllimi i mirë. Duhet të kemi edhe sukses dhe të dalim fitimtarë. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet prapa dhe nuk anulohet, por ka efekt në praktikë pastaj. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse të sjellë draftin e parë dhe ju e dini se në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare... Aty janë të gjithë bashkë dhe janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta po e ndihmojnë grupin punues dhe ne presim strategjinë javën e ardhshme. Nga disa prej tyre dhe të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim që javën e ardhshme të na sjellin draftin e ri të një ligji të ri përkatës për Dhomat e Specializuara. Përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vijë për diskutim dhe miratim. Ajo përmbajtje të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë tonë”,

Krahas kësaj, Kurti shtoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.

Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Kurti e cilësoi Gjykatën Speciale si një institucion të pazakonshëm, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e funksionimit të saj dhe transparencën. Ai i cilësoi Dhomat e Specializuara si gjykatë monoetnike.

Kurti: Qëndrimi im ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar

“Unë, si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për Gjykatën Speciale nga pranvera e vitit 2015. Mendimi dhe qëndrimi im është i njëjtë. Konsideroj se këto Dhoma të Specializuara janë një gjykatë e pazakonshme, saqë edhe termi sui generis është i ngushtë. Herë sillen si gjykatë vendore dhe herë si tribunal ndërkombëtar, por gjithsesi janë një gjykatë monoetnike me mungesë transparence. Iniciuesit e ligjit për Dhomat e Specializuara, unë besoj se e kanë pasur qëllimin e mirë dhe ky qëllim ka ardhur nga indinjata dhe zhgënjimi i madh me aktgjykimin e 16 shtatorit, i cili kishte shumë pasaktësi faktike dhe historike. Rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjetësh burg për katër ish-krerët e UÇK-së”, theksoi Kurti.

​Kënga nacionaliste në Bruksel, deputetja e LVV-së: Përgjegjësia i takon nikoqirit, presim kërkimfalje politike ndaj qytetarëve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar ndaj interpretimit të këngës nacionaliste serbe, në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Komisionit Evropian në Bruksel, duke thënë se pret kërkimfalje politike ndaj qytetarëve të Kosovës.

Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kryeziu-Hyseni tha se kjo këngë nuk është thjesht një melodi popullore, por, sipas saj, përfaqëson projektin irredentist të Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi me dëbime masive dhe masakra në Kosovë.

Ajo theksoi se interpretimi i këngës pa tekst nuk e zbeh domethënien e saj, ndërsa përgjegjësinë për mesazhin e përcjellë ia atribuoi institucionit organizator.

Kryeziu Hyseni kërkon kërkim falje politike për këngën serbe në Bruksel

“Të dielën që shkoj, në mbrëmjen hapëse të forumit të zgjerimit që komisioni evropian e organizoi në Bruksel, në një koncert me titullin “Melodi të unitetit”, u interpretua “Oj Kosovo, Kosovo”, kjo nuk është thjeshtë një melodi popullore pa adresë, është himni i projektit irredentist të Millosheviqit, të Gazimestanit dhe shfuqizimit të autonomisë në Kosovë, i një projekti që përfundoi me dëbime masive, masakra dhe rreth një mijë e 600 të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dimë asgjë. Fakti që u interpretua pa tekst, nuk e zbeh domethënien e tij, sepse në Ballkan, fjalët e kësaj kënge i dinë të gjithë. Komisioni ia ka atribuuar përgjegjësinë muzikantëve, mirëpo në diplomaci përgjegjësia për mesazhin, i takon gjithmonë nikoqirit dhe llogaridhënia institucionale nuk delegohet... Presim kërkim falje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, sqarim se si u përzgjodh dhe kush e miratoi”, tha ajo. 

​“Pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë barnat”, Deliu-Kodra me akuza ndaj ministrit Vitia

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave në Kosovë, duke thënë se suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin me furnizimin e pacientëve me terapi.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka pyetur nëse ky vendim do të ndikojë që pacientët të mos detyrohen më t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë e tyre.

Ajo theksoi se problemi i furnizimit me barna nuk lidhet vetëm me farmacistët që i shpërndajnë ato, por edhe me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave.

“Pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë barnat”, Deliu-Kodra me akuza ndaj ministrit Vitia

“A mendon dikush që me suspendimin e katër farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? A nënkupton kjo se barnat esenciale do të jenë në dispozicion të pacientëve në çdo kohë? Sigurisht që jo. Problemi i furnizimit nuk fillon dhe nuk përfundon te farmacisti që i jep barnat. Problemi lidhet me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave”, tha ajo.

Kosovën e ka mbuluar terri, Tahiri: Mungesa e energjisë po e rëndon jetën e qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Besnik Tahiri ka kritikuar sot Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin energjetik, duke thënë se ndërprerjet e energjisë elektrike po ua vështirësojnë jetën qytetarëve dhe po i rëndojnë financiarisht familjet kosovare.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për gjendjen energjetike, deputeti Tahiri tha se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat fillimisht kanë prekur kryesisht vendbanimet rurale, tashmë janë shtrirë edhe në kryeqytet dhe qytete të tjera.

Tahiri flet për mungesën e energjisë në Kosovë

“Jemi duke parë që Kosovën, vendi tonë të dashur e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike, me orë të tëra, kryesisht në lokacione në vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytetin, edhe në qytete të tjera, realisht është duke e vështirësuar jetën e qytetarit të Kosovës në maksimum, duke i detyruar familjet e varfra që realisht të hyjnë në borxhe për të paguar çmimin e energjisë elektrike, e në veçanti duke e ditur se një numër i madh i familjeve kanë fëmijë në pesë zonat urbane, siç e thashë në debatin e kaluar, për energji, nxehja është kryesisht, mos me thënë ekskluzivisht, me energji. Është duke e bërë jetën të pa jetueshme në vendin tonë”, tha Tahiri.

Tahiri kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, duke vlerësuar se zhvillimet ndërkombëtare dhe gjendja aktuale kërkojnë rishikim të politikave energjetike.

Tahiri kërkon nga Kurti hapa konkretë për ndryshimin e strategjisë së energjisë

“Ne e kuptojmë që politika programore e lëvizjes vetëvendosje ka qenë kryesisht në strategjinë e tyre e lidhur me llojllojshmërinë e burimeve energjetike, mirëpo kur e shohim dokumentin strategjik dhe programin qeveritar, strategjinë e vitit 2022-2031, që kjo duhet të ndryshoj. Pse duhet ta ndryshoj? Për shkak se ka ndryshuar bota, çdo ditë ministri i financave, del i thotë qytetarëve që ngritja e çmimeve nuk është faji jonë, as i çmimeve të derivateve, i ngjet 100 mijë fjalë. Kërkoj nga kryeministri të nominoj një ekip qeveritare e cila e ndryshon planin strategjik të qeverisë dhe planin për investime energjetike”, tha Tahiri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat