MIT koordinon përgatitjet për sezonin dimëror, kërkohet kujdes i shtuar nga shoferët

Aktuale

MIT koordinon përgatitjet për sezonin dimëror, kërkohet kujdes i shtuar nga shoferët

Nga: Bota sot Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 09:13
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka intensifikuar përgatitjet për sezonin dimëror, me qëllim të sigurimit të qarkullimit të sigurt në rrugët e Kosovës gjatë periudhës së borës dhe ngricave.

Sipas njoftimit të Ministrisë, javën e kaluar është mbajtur një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve.

Gjatë takimit është diskutuar për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës, si dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave.

Ministria ka bërë të ditur se mirëmbajtja e rrugëve bëhet gjatë gjithë vitit, ndërsa ndërhyrjet përshtaten varësisht nga kushtet atmosferike dhe sezoni.

Njëkohësisht, përmes këtij njoftimi, u është bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, veçanërisht në rastet kur në rrugë ka borë dhe ngrica.

Ministria rikujton se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars, duke kërkuar nga shoferët që të kontrollojnë gjendjen e gomave para nisjes dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat