Në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it në Prishtinë është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës, ku koloneli Gianfranco Di Fiore ia dorëzoi detyrën kolonelit Steven Chenet.
Ceremonia u drejtua nga gjeneralmajor Roberto Vergori, komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja.
Gjatë fjalimit të tij, Vergori theksoi rëndësinë e besueshmërisë, unitetit dhe përkushtimit në përmbushjen e misionit, duke nënvizuar se fuqia e një njësie nuk qëndron vetëm te individët, por te bashkimi i tyre rreth një qëllimi të përbashkët.
Ai vlerësoi punën e personelit të MSU-së, i cili çdo ditë shndërron gatishmërinë dhe ekspertizën profesionale në veprime konkrete, në përputhje me mandatin e KFOR-it dhe atë të Kombeve të Bashkuara.
Vergori theksoi se pjesëtarët e kësaj njësie mbeten të përkushtuar për të shërbyer me paanshmëri dhe profesionalizëm, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
Në fund, ai përcolli edhe një mesazh për udhëheqjen, duke theksuar se komanda është privilegj, udhëheqja përgjegjësi, ndërsa kujdesi për njerëzit që udhëhiqen është nder.