Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka pranuar se deputetët dhe Kryesia e partisë fillimisht kanë qenë kundër kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend.
I ftuar në emisionin "Debat Plus" në RTV Dukagjini, Tahiri tha se asnjë deputet i PDK-së nuk ishte për kthimin e ligjit në lexim të tretë. Sipas tij, qëndrimi ndryshoi pasi partia mori vlerësime nga ekspertë që e ndjekin nga afër procesin gjyqësor në Hagë.
Ai shpjegoi se këta ekspertë e bindën PDK-në se ligji mund të kthehej në procedurë dhe të plotësohej me ndryshime që e forcojnë atë juridikisht.
Tahiri pranoi se vendimi i ka kushtuar partisë. "Është një goditje politike për PDK-në që është bërë me vetëdije", tha ai, duke shtuar se partia e vuri interesin e procesit të apelit mbi përfitimin politik.
Ai e cilësoi 16 shtatorin, ditën e aktgjykimit ndaj katërshes, si ditë të zezë për kombin. Sipas Tahirit, çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së të dënuar në Hagë nuk i takon vetëm PDK-së, por është një betejë kombëtare dhe jo partiake.
Drafti i parë është gati
Tahiri bëri të ditur se drafti i parë i ndryshimeve tashmë është përgatitur dhe do të diskutohet në grupin strategjik. Më pas, sipas tij, deputetët do të nisin nismën e re ligjore.
Ai shprehu besimin se ligji i plotë mund të hyjë në fuqi brenda muajit dhjetor.
Deklaratat e Tahirit vijnë pasi PDK-ja u tërhoq nga ligji i miratuar në tetor dhe ra dakord me kryeministrin Albin Kurti për një draft të ri. U.d. kryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se drafti do të përfshijë propozimet e partisë dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Kurti tha më 23 nëntor se ekspertët pritet ta përfundojnë draftin këto ditë.
Procesi vazhdon të kritikohet nga opozita dhe nga shoqëria civile për mungesë transparence, pasi as përbërja e grupit strategjik, as emrat e ekspertëve nuk janë bërë publikë.